Turqia paralajmëron ata që mbështesin Izraelin: Do paguani dhe ju çmimin!

“Koha për diplomacinë ka mbaruar”, tha ministri i jashtëm turk Hakan Fidan duke bërë thirrje për lëvizje për të vendosur “sanksione” të ashpra ndaj Izraelit nga komuniteti ndërkombëtar.

“Nuk na mbetet asgjë për të thënë diplomatikisht, politikisht…e kemi mbaruar. Ne kemi nevojë për mjete të tjera”, tha Fidan në një konferencë mbi të ardhmen e Palestinës në Ankara.

Kreu i diplomacisë turke tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa ligjore duke bojkotuar Izraelin, i cili nuk duhet të ketë më asnjë mbështetje në asnjë fushë.

“Përndryshe, Izraeli do të vazhdojë gjenocidin dhe masakrat e tij në Gaza, sepse për momentin nuk po paguan çmim ekonomik, politik apo ushtarak”, vuri në dukje Fidan, i cili gjatë kësaj konference shprehu shqetësimin se vëmendja e komunitetit ndërkombëtar po largohet nga Gaza, që kur kanë nisur sulmet izraelite në Liban.

Një mesazh të fortë Fidan e pati edhe për shtete që përkrahin Tel Avivin në avancimin e konfliktit, duke thënë: “Dhe ata që mbështesin Izraelin duhet gjithashtu të paguajnë çmimin, për të kuptuar se ka kufij për atë që ata po bëjnë”.

Sakaq, Turqia ndërpreu shumicën e lidhjeve ekonomike me Izraelin në pranverë, por një pjesë e opozitës akuzon qeverinë se vazhdon të furnizojë vendin me naftë bazuar në marrëveshjet e mëparshme.

Fidan po ashtu priti sot homologun e tij jordanez, Ayman Safadi, i cili shprehu keqardhjen e tij për atë që e cilësoi “paaftësinë e komunitetit ndërkombëtar”, pasi sipas tij zgjatja e luftës në Liban “po e shtyn rajonin drejt humnerës”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share