Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes Konferencës për media ka shprehur shqetësimet lidhur me ngecjet e Qeverisë mono-etnike në realizimin e projekteve kapitale në infrastrukturën rrugore gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së saj.
Në këto tre muaj, në vend që të ketë progres ka ngecje dhe shkurtim mjetesh të projekteve kyçe në infrastrukturën rrugore, siç janë Korridori 8 dhe 10, autostrada Shkup-Bllacë, rruga Tetovë -Prizren, kontrolli i përbashkët i kufinjëve, hekurudha dhe projekte të tjera që janë të një rëndësie strategjike për vendin, thonë nga BDI.
Korridori 8, projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i shtetit që nga pavarësia, i cili lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Shqipërisë dhe vendet e rajonit, është një nga arteriet kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal dhe evropian.
Për fat të keq, qeveria me legjitimitet monoetnik qëllimisht zvarrit procedurat e nevojshme për realizimin e këtij korridori evropian.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet zvogëluan mjetet buxhetore nga 15.1 mld denarë në 4 mld denarë.
Gjithashtu, kjo qeveri tregon se nuk ka vullnet të ndërtojë edhe autostradën Shkup – Bllacë. Përveç kësaj, edhe projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren mbetet vetëm premtim parazgjedhor i tyre. Kanë ngecur të gjitha procedurat e filluara për realizimin e këtij projekti të miratuara nga qeveria e kaluar. Nga këtu, pyesim institucionet kompetente pse nuk fillojnë me procedurat për zgjedhjen e kompanisë projektuese për projektimin e tunelit të përbashkët Tetovë – Prizren me gjatësi 6.2 km, që parashihet në marrëveshjen e nënshkruar në mes dy vendeve në fillim të këtij viti.