Miliarderi Elon Musk, personi më i pasur në SHBA, është hedhur në skenë në mbështetje të Donald Trumpit në një nga tubimet e tij të fushatës zgjedhore.
Madje, Musk e quajti kandidatin republikan si të vetmin që duhet të votohet “për të ruajtur demokracinë në Amerikë”.
Bëhet e ditur se drejtori i Përgjithshëm i SpaceX dhe Tesla, i cili gjithashtu bleu X, iu bashkua Trumpit në Butler, Pensilvani, ku ish-presidenti i mbijetoi një atentati në korrik.
Me një kapelë të zezë që mbante sloganin “Make America Great Again”, Musk paralajmëroi se “këto do të jenë zgjedhjet e fundit” nëse Trump nuk fiton, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Siç mund ta shihni, unë nuk jam vetëm MAGA – unë jam Dark MAGA”, tha miliarderi.
Shfaqja shënoi herën e parë që Musk iu bashkua një prej tubimeve të Trumpit.
Trump ka thënë se do ta caktonte Musk për të drejtuar një komision qeveritar nëse ai rifiton Shtëpinë e Bardhë.
Ndryshe, para një turme masive të shtunën, Musk u përpoq të portretizonte Trumpin si një kampion të fjalës së lirë, duke argumentuar se demokratët duan “t’ju heqin lirinë e fjalës, duan t’ju heqin të drejtën për të mbajtur armë”.
Tubimi i së shtunës u zhvillua në të njëjtën pronë ku plumbat e një personi të armatosur goditën veshin e djathtë të Trump dhe vranë përkrahësin e tij, Corey Comperatore.
Të shtënat lanë të plagosur shumë të tjerë. /Telegrafi/