“Serbia refuzoi takimin e përbashkët”, përfundon rundi i ri i bisedimeve në Bruksel pa takim trepalësh

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua në Bruksel me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi u zhvillua në formatin bilateral, pasi Serbia refuzoi të marrë pjesë në një takim trilateral.

“Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar,” u tha në njoftimin për media, ku temë e diskutimit ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues.

Gjatë takimit me Lajçakun, Bislimi diskutoi për planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke theksuar angazhimin konstruktiv të Kosovës.

“Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen,” deklaroi zëvendëskryeministri Bislimi, duke kritikuar mungesën e përparimit nga pala serbe.

Një nga temat e rëndësishme të takimit ishte çështja e personave të zhdukur me dhunë, ku Bislimi ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, duke thënë se ajo po “zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final.”

Në lidhje me çështjen e lëvizjes së lirë, zëvendëskryeministri informoi emisarin e BE-së për masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të lehtësuar konvertimin e patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb.

Ndërsa për çështjen e urës mbi lumin Ibër, Bislimi shtoi se “nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës,” duke theksuar se edhe në raportet e Komisionit Evropian pas vitit 2014, BE-ja ka kërkuar hapjen e saj pa vonesa.

Në përfundim të takimit, Bislimi theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe shtoi se hapja e urës mbi Ibër është simbol i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe kjo çështje tashmë është trajtuar dhe dakorduar në kuadër të procesit të dialogut. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share