Shkollat e mesme të Tetovës po përballen me vështirësi financiare

Shkollat e Tetovës, ashtu si ato të Gostivarit, po përballen me të njëjtin problem të borxheve. Gara për të dalë e para në listën e shkollave me borxhet më të mëdha në Tetovë është mjaft e ashpër.

Sipas disa të dhënave, borxhi i shkollave të mesme arrin në mbi 500 mijë euro. Megjithatë, edhe pas disa përpjekjeve për të konfirmuar këtë informacion, Sektori i Arsimit ende nuk ka ofruar një përgjigje zyrtare për vlerën e saktë të borxhit të shkollave në Komunën e Tetovës.

Sipas të gjitha gjasave, Shkolla e Mesme Medicinale “Nikolla Shtejn” konsiderohet të jetë institucioni arsimor me borxhin më të madh.

Në një përgjigje me shkrim për Klan Maqedoni, drejtori i kësaj shkolle, Binas Pajaziti, ka deklaruar se borxhi i shkollës arrin në mbi 200 mijë euro.

Ai e justifikon këtë shumë të madhe me faktin se shkolla që ai drejton është përgjegjëse për organizimin e transportit të nxënësve për të gjitha shkollat e mesme në komunën e Tetovës.

 

BINAS PAJAZITI – DREJTOR I SHMM “NIKOLA SHTEJN”

 

“Në emër të shkollës sonë organizohet transporti i nxënësve për të gjitha shkollat e mesme të komunës së Tetovës dhe ky borxh është 16,000,000 den për të gjitha shkollat e mesme. Shkolla e Mesme Medicinale ‘Nikolla Shtejn’ nuk ka prapambetje në pagesat e fakturave të saj. Të gjitha pagesat likuidohen konform planit dhe dinamikës kuartale dhe vjetore”.

Ndërkohë, Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, që dikur ishte një nga shkollat e vetme pa asnjë borxh, sot ka një borxh prej mbi 80 mijë euro.

Situata me borxhet e shkollave në Tetovë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Ndërsa institucionet arsimore po luftojnë për të përballuar shpenzimet, transparenca e pamjaftueshme dhe mungesa e një strategjie të qartë financiare e vështirëson akoma më shumë zgjidhjen e këtij problemi.

Kjo çështje kërkon vëmendje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse për të siguruar një proces arsimor të qëndrueshëm dhe cilësor. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share