Hapja e Urës së Ibrit, Kurti: Ne i kemi kryer punët tona, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas pjesëmarrjes së vënies së gurëthemelit të stacionit të policisë në Leshak të Leposaviqit është deklaruar edhe para mediave. Kreu i ekzekutivit kosovar ka folur edhe për hapjen e Urës së Ibrit.

Kryeministri Kurti tha se vlerësimi i qëndrueshmërisë fizike dhe teknike të urës është bërë, por tani po presin nga QUINT-it dhe KFOR-i.

Sipas Kurtit, Ura e Ibrit duhet të hapet edhe për vetura, pasi edhe vetë marrëveshja në Bruksel e kërkon një gjë të tillë.

“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, tha Kurti para gazetarëve.

Për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit foli javën e kaluar edhe emisari sllovak, Miroslav Lajçak i cili pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se ajo duhet të hapet vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Diskutuam edhe për urën e Ibrit, qëndrimi i BE-së është i njohur dhe do ta përsërisim se ura duhet të hapet, por duhet të hapet në koordinim me me partnerët e ngushtë të Kosovës”, tha Lajçak para mediave.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Në deklaratat e tij, Kurti gjithmonë ka deklaruar se ura s’është kundër askujt, por vetëm për të gjithë qytetarët.

Vendet e QUINT-it lidhur me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit, kanë thënë se nuk e mbështesin këtë vendim. Poashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të mos marrë vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara, por ta zgjidh këtë çështje në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

/Reporteri.net/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share