Mospajtimet për CEFTA-n, Konjufca: Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës i drejtë, emisari Sarrazin po ledhaton Serbinë

Javën e kaluar, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde foli për vizitën e emisarit gjerman, Manuel Sarrazin që siç tha ai s’kishte arritur që gjatë vizitës së tij në Kosovë ta bindte kryeministrin Albin Kurti për të bërë kompromis për CEFTA-n. Lidhur me këtë ka folur sot edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, në konferencën për media Konjufca i pyetur nëse Kosova rrezikon të mbetet jashtë Procesit të Berlinit më 14 tetor pikërisht për këtë arsye, ai tha se s’pret që një diçka e tillë të ndodhë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Konjufca tha para gazetarëve se Procesi i Berlinit është më i gjërë se aq, dhe s’mund të reduktohet në CEFTA.

Sipas Konjufcës, Emisari Sarrazin po ledhaton Serbinë, pasi Kosova s’po trajtohet barabartë, e Kosova s’do të pranojë ndryshe veçse pjesëmarrje të barabartë me vendet tjera të rajonit.

“Mua nuk më duket se Procesi i Berlinit mund të reduktohet në CEFTA. Mosmarrëveshjet që ne i kemi sa i përket CEFTA-s dhe përpjekjet që Qeveria e Kosovës i ka lidhur me një marrëveshje të dinjitetshme të prezantimit të Kosovës në të gjitha këto marrëveshje rajonale, mendoj që është e drejtë e mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, por Procesi i Berlinit është shumë më i gjerë dhe unë nuk pres që Kosova të përjashtohet nga ky proces”, tha Konjufca.

“Ajo që nuk mund të arrihet dhe ato që i tha z. Sarrazin gjatë vizitës së tij në Kosovë, është faktikisht njëfar modusi i ledhatimit të Serbisë ma merr mendja mua. Nëse doni të keni rajon funksional, ne e dimë se cila është rruga: është barazimi i Kosovës me Serbinë si dy shtete të pavarura që marrin pjesë në këto marrëveshje rajonale. Nëse ne ftohemi dhe diskriminohemi të marrim pjesë në baza të pabarabarta me Serbinë, Kosova nuk e pranon dhe Kosova ka me luftu deri në fund për interesat e saj”, u shpreh Konjufca.

“Kështu që, mua më duket i drejt qëndrimi i Qeverisë së Kosovës dhe shumë më mirë do të ishte që z. Sarrazin, shumë më shumë ta ketë mendjen te mungesa e ndonjë sanskioni sa i përket Serbisë, prej sulmit që e përmendem të Banjskës e deri te kjo e fundit para dyditësh, bllokimi i kufijve. Tash, nëse e analizoni këtë, pyetja normale do të ishte që kush atëherë qenka për bashkëpunim, e kush po investon në grupe terroriste për t’iu dhënë leje të drejtpërdrejt prej Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’i bllokuar kufijtë e Kosovës”, tha Konjufca.

“Për shembull, unë s’e pashë z. Sarrazin që i pengoi kjo që iu bllokuan kufijtë e Kosovës nga ata që jo që kanë precedent penal, por janë edhe kriminelë ndërkombëtarë”, tha kryeparlamentari.

Manuel Sarrazin, me të përfunduar vizitën e tij javën e kaluar në Prishtinë, kishte thënë se “duhet vullnet që të arrihen marrëveshje që mund të mos jenë të lehta për Kosovën apo Serbinë”.

Ambasadori Rohde kishte deklaruar se nëse është e nevojshme, “shtetet e tjera do të vazhdojnë pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së për lehtësimin e këmbimeve tregtare për vendet e rajonit”, pasi kishte theksuar se Sarrazin s’kishte pasur sukses me Kurtin për CEFTA-n.

Për CEFTA-n, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në “Kallxo Përnime” tha dje se për ketë çështje ekziston kërcënimi që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.

“Ky mua më duket dallim shumë i vogël që nuk do të duhej të rezultonte me përjashtimin e Kosovës siç është Procesi i Berlinit. Kërcënimi ekziston, duhet kushdo që negocion në emër të Republikës, me insisitu me propozime të reja. Unë më së pari angazhohem që të bindet Gjermania që Kosovën mos ta largojnë pavarësisht këtyre. E dyta unë propozoj një 10 fjali të ndryshme që e arrijnë qëllimin e Kosovës po duket në dukje të parë që janë kompromis, sepse mund të gjendet rrugë e përbashkët. Si rregull propozime të tilla duhet të diskutohen me të gjithë sepse në fund janë Dogana dhe Policia e Kosovës ata që e zbatojnë”, ka thënë Osmani.

/Reporteri.net/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share