Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria aktuale në vend që të bëhej aleat i mijëra mësuesve dhe arsimtarëve, ajo gjatë gjithë mandatit të saj ka vazhduar t’i godasë ata në xhep e në dinjitet.
Haradinaj përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka thënë se Kosova renditet e fundit në listë për nga cilësia në arsim.
Haradinaj ka shtuar se rritja e pagës prej 6.80 euro, ka qenë ofendimi më i madh për punëtorin e Kosovës.
“Qeveria aktuale, në vend që të bëhej aleat i mijëra mësuesve dhe arsimtarëve, duke i trajtuar ata me respekt e paga të dinjitetshme, ajo gjatë gjithë mandatit të saj ka vazhduar t’i godasë ata në xhep e në dinjitet, ndërsa sindikatat e arsimit që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, t’i shpallë armiqësore.
Ofendimi më i rëndë për punëtorin e Kosovës, e posaçërisht për stafin mësimor, ka qenë rritja e pagave për 6.80 euro”, është shprehur Haradinaj.
“Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat juve mësues, nxënës e prindër, që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor, me shpresë që të jetë i fundit, kaq i vështirë e me këtë qeveri”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/