Nga muaji shtator paralajmërohet rritje e pensioneve prej 2.500 denarëve! Opozita: Qeveria po mashtron qytetarët, pensionet nuk do të rriten sa thotë Mickoski

0Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi sot, se me pensionin e shtatorit do të fillojë rritja e parë e pensioneve, pasi Qeveria në seancën e djeshme pranoi propozim ndryshimet  e ligjit për sigurim pensional dhe invalidor. Përkatësisht, me këtë ligj parashihet që harmonizimi i pensioneve të jetë në mënyrë lineare dhe jo me përqindje, siç ka qenë deri më tani. Ai pret që ligji të votohet së shpejti edhe nga deputetët, sapo të fillojë me punë Kuvendi dhe pensioni i shtatorit të jetë me rritje.

“Ne premtuam se, në vitin e parë pensionet do të rriten në mënyrë lineare për 5.000 denarë, këtë do ta bëjmë shumë shpejtë, përkatësisht në 9 muajt e parë. Do të shohim më tej se si do të jetë gjendja me buxhetin, kështu që më tej mund të kemi befasi të këndshme për pensionistët, punëtorët e kështu me radhë. Pra, pres që së shpejti kur të fillojë të funksionojë Kuvendi të kalojë ky ligj dhe pensioni i shtatorit të transferohet në llogaritë e pensionistëve me rritje prej 2.500 denarë”, tha Mickoski.

LSDM-ja opozitare ka reaguar ndaj këtij vendimi të Qeverisë, duke pretenduar se, pensionistët do të marrin vetëm 1000 denarë shtesë, pasi gjithsesi atyre u takon rritje në shtator dhe më pas në mars, në bazë të metodologjisë për rritje të vazhdueshme të pensioneve. Po ashtu, ata theksojnë se, me këtë vendim të qeverisë, mund të cenohet stabiliteti i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

“Rritjet lineare krijojnë presion shtesë financiar mbi fondin, i cili përballet me probleme të qëndrueshmërisë. Rritja e shumave që  Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor duhet të paguajë çdo muaj, në kushtet e të ardhurave të kufizuara të kontributeve, mund të çojë në një situatë ku fondi nuk do të mund të përmbushë detyrimet ndaj pensionistëve. Politikat e qeverisë së Mickoskit kanë pasoja të rënda afatgjata”, thonë nga LSDM.

Po ashtu, ka reaguar edhe ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duke thënë se qeveria VMRO – VLEN po mashtron qytetarët, pasi sipas tij, pensionet do të rriten 7.8 EURO mesatarisht. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share