Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit gjerman për hapjen e Urës mbi lumin Ibër. Rohde tha se situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure, ani pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë. Ai po ashtu ka thënë se ka rrezik për tensione, nëse ura hapet.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, tha ai, raporton RTKlive.
Ambasadori gjerman, shtoi se duhen konsultime mes qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit dhe se ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur vlerësohet se ka siguri për të ndodhë kjo gjë.