Skandali me kryerevizorin për IPA Fondet, Taravari ankohet në “Ligjet e çuditshme” – Regjistri i Institutit për revizorë të autorizuar flet ndryshe!

Taravari i painformuar apo flet ate që i konvenon? Ai ka fajësuar institucionet gjegjësisht ligjet në fuqi se me vite të tëra nuk janë ndarë certifikata për revizor, e që ne fakt nuk rezulton të jetë ashtu.

Pas skandalit me emërimin e Afrona Verzivolit, që nuk posedonte certifikatat e nevojshme, Taravari është shprehur se 10 vite askush nuk ka dhënë certifikata.

“Ka ligje të çuditshme. Janë vënë kritere që kërkohen për kandidatë të caktuar që të kenë certifikatë revizori, kurse ndërkohë 10 vite nuk ka një kurs të tillë. Dhe, u mundësohet vetëm një grupi të caktuar që kanë marrë certifikatën para 10 viteve të mund të jenë drejtorë. Bisedova personalisht me z.Gir, reagoi dhe në vend të saj emëruam zgjidhje tjetër kadrovike, z.Arben Ramadanin që plotëson të gjitha kriteret”, tha Taravari.

Por, në ueb-faqen e Institutit për Revizorë të Autorizuar të Maqedonisë së Veriut, tek Regjistri i Revizorëve vërehet se certifikata për revizorë janë ndarë që nga viti 2013 e deri më 2023.

Sipas listës janë 104 revizorë që kanë marrë certifikata.

Por, jo vetëm kaq!

Në këtë ueb-faqe qartë shihen datat e dhënies së sesionit të provimeve për vitin 2024, sic shkruan, të Nivelit 1 dhe Nivelit 2. Provimet janë dhënë në korrik 2024, kurse sipas asaj që shkruhet një provim kushton 9.200 denarë.

Ndër provimet që përmenden janë Revizioni 1, Rregullativa Ligjore, Menaxhimi me Financat, Raportimi Financiar, Revizioni 2 e të ngjashme.

Ndryshe, Programi për dhënien e provimit për të marrë titullin Revizor të Institutit për revizorë të autorizuar të RMV-së, është e akredituar nga ana e Asociacionit për kontabilistë të licensuar dhe vlen për periudhën nga 1 janari 2023 deri më 31 dhjetor 2024.

Ky asociacion akreditimin e ndan për t`u siguruar kandidatëve krahasueshmërinë e njohurive dhe aftësive që ata kanë fituar gjatë përvetësimit të kualifikimit të mëparshëm, dhe me akreditimin e marrë, lehtësohet dhe përshpejtohet rruga për kandidatët që duan të vazhdojnë punën e tyre profesionale.

Ndryshe, më 8 gusht, Qeveria shkarkoi revizorin e deritashëm të Trupit Revizor për revizionin e instrumentit për ndihmë para aderuese, Adem Curi, dhe me propozim të VLEN për ushtruese detyre emëroi Afrona Verzivolin që nuk kishte përvojë revizore e as certifikatë adekuate.

Delegacioni I BE-së në Shkup reagoi ashpër ndërsa qeveria u detyrua të shkarkojë urgjentishtë të njejtën nga posti, duke e emëruar në këtë pozitë, Arben Ramadanin. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share