Revoltohet gazetarja, Sonila Meço: Shqiptarët e duan flamurin veç për patriotizëm!

Gazetarja e njohur Sonila Meço përmes një statusi është shprehur mjaftë e revoltuar mbi situatën.

Ajo iu është bashkuar pse dy mundës, njëri rus dhe tjetri çeçen, fituan për herë të parë e dy medaljeve olimpike në emër të Shqipërisë.

Postimi i Sonilës:

Prisni dhe pak, durim vëllezër e motra shqiptarë, se po vjen e lumja dita kur në Olimpiadën Europiane të Matematikës do të shkëlqejë si fitues “shqiptari” Li Zhao, lindur, rritur, fjetur çdo natë të jetës në Kinë, huazuar për dy olimpiada, sponsorizuar nga çunat e Dubait.

Çmimin Booker Prize do ta fitojë “shqiptari” Kosala Hetuëa, lindur, rritur në Sri Lanka, studiuar në Zelandën e Re dhe Amsterdam, jetuar në Manchester, huazuar për një vit, sponsorizuar nga çunat e Londrës.

EuroVisionin do ta fitojë “shqiptarja” Saoirse Órlaith, lindur, rritur e jetuar në Irlandë, pa dëgjuar kurrë për Shqipërinë, huazuar për dy vjet, sponsorizuar nga çunat e akseve, që kryqëzohen në Roterdam.

Oscar për regjinë më të mirë e merr “shqiptari” nga fshati i gruas, Tasuka Ëelutiti, zelandez, me baba rus e nënë afrikane, rritur e formuar në Amerikë, sponsorizuar nga çunat e Zyrihut për krijime 5-vjeçare.

Krenari Kombëtare janë, posi… u rrjedh loti rrëke për Shqipërinë në podium. Nuk dinë gjuhën, historinë e as flamurin kombëtar shqiptar, por ç’rëndësi ka fundja, kur të shqyhet kraharori nga krenaria e fjalës “Albania” dhe ngjyrat kuq e zi në palmaresin e ngjarjeve të mëdha.

Asnjë çudi, madje shumë paragjykues, racist, përjashtues, jo integralist çdo koment mbi etninë, përkatësinë, lidhjet me Shqipërinë të përfaqësuesve “shqiptarë” në eventet botërore.

Se vërtetë janë afrikanë a aziatikë origjine një pjesë e mirë e lojtarëve në përfaqësueset europiane, vërtetë janë lindur e rritur në Europë si brez i dytë a i tretë emigrantësh, po aq e vërtetë se kanë mësuar gjuhën, historinë, flamurin e vendit, që përfaqësojnë, por nuk i telendisin siç bëjmë ne bashkëkombasit e tyre.

Globalizëm o lum miku! Posi!

Shihe Maltën, për 1 milion euro investim në ishull merr pasaportë të artë, kombësinë malteze… kinez, afrikan a ekstra planetar qofsh!

A qahet kush aty? Askush… se janë vizionarë, paçka se koloni gjer në 1964-ën, por pjesë e BE-së qysh në 2004-ën.

Do thoni ju ku nis sarkazma e ku mbaron e vërteta në këtë postim?!

Po ç’rëndësi ka kjo në kohët e mish-mashit? Pse u dashka ta dimë nëse unë qaj a qesh, tallem a mbështes situatën?

Ja ta shtrojmë disi më ndryshe, por njëlloj (ç’domethënë kjo, apo pse duhet të ketë domethënie xhanëm?!):

Ç’të keqe pamë nga bangladeshasit në ndërtim (pavarësisht se çanë ferrën brenda tri javëve për në BE)? Po pse t’a thyejmë ëndrrën e bukëpjekësve indianë për një dyqan në Shqipëri? Të filipinaseve për baby-sitter në Tiranë dhe vilat e jugut? Të afganëve shitës? Të arabëve agjentë pasurish të patundshme dhe zonave të mbrojtura dhuruar bujarisht nga pushteti? Po kamerieret afrikane të kazinove me 7 yje, në vendin ku lançohej me histeri operacioni “Fundi i Marrëzisë”, që u thyejnë kokën me mosmirënjohje çunat e “dehur” shqiptarë?

Ç’të keqe po bëjnë vallë, që u nxehëm me mundësit rusë e çeçenë me flamur shqiptar në Lojërat Olimpike, pavarësisht se as pushimet nuk i bëjnë në Shqipëri e me gjasë në hartë nuk e gjejnë dot vendin, që përfaqësojnë?

Shqiptarët duan pa ikin nga sytë këmbët. Ferri i dikujt është parajsa e dikujt tjetër e për këtë arsye t’ua lëmë Shqipërinë shqiptarëve?

Po kur vetë shqiptarët e duan flamurin veç për patriotizëm podiumesh, për gëzime kombëtaresh, festash tallavaje, ndërsa nuk u dhimbset asnjë metër katror i vendit, asnjë frymë shqiptare përtej derës së tyre, asnjë shenjë historie, asnjë vulë trashëgimie, asnjë pëllëmbë det, asnjë ngastër toke pjellore, asnjë gllënjkë uji burimesh kristal, asnjë dromcë ajri, asnjë germë e gjuhës, asnjë hero kombëtar, asnjë pikë gjaku e djerse, që ndërtoi pak Shqipëri të mirë…atëherë pse mos bëhet tokë e askujt e kombësi e të gjithëve shqiptaria? Me kuç, maç e farefis edhe indigjenësh toke e piratësh detesh?

Ja pra, ja!

Kur të preket krenaria, shih njëherë çfarë brumi e ka ndërtuar…po nuk qe shpirti, varja se “blen” tjetër, me kredi të shpejtë nga Banka e Deleve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share