Polici nga Maqedonia që “vërshoi” Kosovën me para false të prodhuara në një bodrum në Shkup

Një polic maqedonas, i arrestuar në Kosovë, po dyshohet se ka prodhuar rreth 2 milionë monedha false prej 2 eurosh, ka thënë Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust). Mijëra monedha që u falsifikuan nga grupi i tij, përfunduan në Kosovë.

Polici 34-vjeçar, në vend se të ndiqte falsifikuesit dhe kriminelët, u shndërrua në një falsifikues parash. I arrestuari, më 4 gusht, në Prishtinë, është nga Resnja e Maqedonisë së Veriut. Ai punonte në departamentin e Policisë maqedonase për luftimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.

“Hetimi do të synojë të zbardhë shkallën e plotë të falsifikimit të monedhave”, tha Eurojust.

Burimet e Radios Evropa e Lirë nga hetimet tha se i arrestuari ishte pjesë e një rrjeti të falsifikatorëve, por jo “truri” i operacionit.

Arrestimi i tij u bë pas muajsh të planifikimeve nga autoritetet maqedonase dhe kosovare, me mbështetjen e Eurojust dhe Agjencisë Evropiane të Policisë (EUROPOL).

Kolegët e policit të arrestuar nga Departamenti për luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar po ashtu morën pjesë në hetimin që u krye kundër tij, sipas Zyrës së Prokurorisë Themelore Publike. Në këtë hetim disamujor morën pjesë zyrtarë të inteligjencës, hetues dhe prokurorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ku u falsifikuan paratë?

Paratë e falsifikuara u prodhuan me dy makineri në një bodrum në Shkup.

Policia sekuestroi edhe dy thasë me monedha. Falsifikuesit përdorën gjashtë versione të ndryshme që gjenden në anën e monedhës metalike ku është vendosur vlera prej 2 eurosh.

Në njoftimin e përbashkët të prokurorëve maqedonas dhe kosovarë u tha se qindra mijëra monedha false “të prodhuara” në Maqedoninë e Veriut kishin “vërshuar” tregun e Kosovës që nga viti i kaluar. Por, në njoftimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës lihet të kuptohet se problemi me paratë e falsifikuara është edhe më i madh.

Kjo për faktin se në një vit e gjysmë, BQK-ja ka tërhequr nga qarkullimi 2.5 milionë monedha prej 2 eurosh, që arrijnë vlerën totale prej 5 milionë eurosh.

Ky institucion tha se rreth 54.000 denominime prej 2 euro janë detektuar dhe janë parandaluar që të futen në sistemin financiar, “duke i tërhequr nga qarkullimi si para të falsifikuara”.

Por, paratë e falsifikuara në bodrumin në Shkup nuk përfunduan vetëm në Kosovë. Ato qarkulluan edhe në vetë shtetin ku u prodhuan, në Maqedoninë e Veriut. Paratë e falsifikuara hynë në qarkullim në territorin maqedonas përmes taksave që paguhen për të kaluar nëpër autostrada, pasi vetëm aty lejohet përdorimi i valutave të huaja.

Banka përgjegjëse për mbledhjen e këtyre të ardhurave i dërgoi, më pas, monedhat e dyshimta në Bankën Kombëtare maqedonase për verifikim.

Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut i tha Radios Evropa e Lirë se në tre vjetët e fundit, ata kanë zbuluar më shumë se 50.000 euro monedha false. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share