Ndërprerje masive e qasjes në YouTube për përdoruesit në Rusi

Shërbimet ruse të monitorimit të internetit njoftuan të enjten për një ndërprerje masive të qasjes në YouTube gjë që vjen ndërsa autoritetet ruse shtojnë kritikat ndaj platformës.

Shërbimi rus për monitorimin e internetit, Sboi.rf tha se ishin raportuar mijëra raste problemesh me përdorimin e faqes YouTube në Rusi.

Përdoruesit thanë se mund të hynin në YouTube vetëm përmes VPN-it.

“YouTube nuk po funksionon,” tha një përdorues anonim duke komentuar në faqe.

Gazetarët e agjencisë Reuters në Rusi nuk ishin në gjendje të hynin në YouTube. Disa përdorues të platformës arritën të kenë qasje përmes pajisjeve celulare.

Kompania Google në pronësinë e së cilës është YouTube, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të enjten.

As agjencia kryesore shtetërore ruse që mbikqyr komunikacionet, Roskomnadzor nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.

YouTube është një nga bastionet e fundit të lirisë së shprehjes në internet në Rusi, ku vazhdojnë të postohen materiale nga kundërshtarët e Kremlinit, që janë ndaluar në përgjithësi nga faqet e tjera të njohura të mediave sociale në Rusi.

Shpejtësia e shkarkimit të faqes është ngadalësuar dukshëm javët e fundit, gjë për të cilën ligjvënësit rusë kanë fajësuar kompaninë Google, diçka që vetë kompania e ka hedhur poshtë.

Alexander Khinshtein, kreu i një komisioni parlamentar për politikat e informimit, paralajmëroi muajin e kaluar se shpejtësia e platformës YouTube do të ngadalësohej me deri në 70%.

Ai tha se ky ngadalësim ishte “një hap i domosdoshëm, i drejtuar jo kundër përdoruesve rusë, por kundër kompanisë së një burimi të huaj që ende beson se mund të shkelë dhe të injorojë legjislacionin tonë pa u ndëshkuar”.

Zoti Khinshtein më vonë u shpreh se ngadalësimi kishte ndodhur pasi Google nuk kishte investuar në infrastrukturën ruse, siç janë serverët e saj lokalë, një pretendim që YouTube e hodhi poshtë.

Një zëdhënës i platformës YouTube tha javën e kaluar se kompania ishte në dijeni të raportimeve se disa përdorues nuk ishin në gjendje të hynin në YouTube në Rusi. Ai sqaroi se kjo nuk kishte ardhur si pasojë e ndonjë veprimi për arsye teknike nga ana e platformës./VOA/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share