Një polic 34-vjecar nga Resnja me iniciale SH.D është arrestuar në Kosovë, gjatë hetimeve ndërkombëtare në suaza të së cilës është formuar ekip I përbashkët hetues I Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Shkupit ku ishin kyçur edhe departamentet policore për krim financiar nga të dy vendet.
Polici nga Resnja i punësuar në departamentin për shkatërimin e krimit të organizuar dhe serioz pranë MPB-së, ishte arrestuar gjatë aksionit të zbatuar më 4 gusht. Dyshohet për veprën penale “falsifikim parash”.
“Shtetasi maqedonas ishte arrestuar nën dyshimin se ka prodhuar dhe lëshuar në qarkullim monedha të falsifikuara me vlerë nominale prej 2 eurove. Njëkohësisht në Shkup janë kryer bastisje në tri lokalitete ku janë gjetur dhe konfiskuar një maqinë për falisfikimin e euromonedhave, monedha të gatshme dhe gjysmë të gatshme dhe materiale të nevojshme për përpunimin e monedhave. Të gjithë do të jenë lëndë të ekspertizës”, thanë nga Prokuroria Themelore e Maqedonisë së Veriut.
Sipas pamjeve të publikuara, për monedhat ishin shfrytëzuar pesë motive të ndryshme falsifikimi me pretendime se vijnë nga Italia, Franca, Portugalia, Finlanda dhe Kroacia.
Janë prononcuar edhe nga EUROPOL-i.
“Arrestimi i tij është kulmimi i operacionit disamujor mes autoriteteve kosovare dhe maqedonase me mbështetjen e EUROPOL-it dhe Eurojust – Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale”, deklaruan nga EUROPOL.
Banka Qendrore e Kosovës për shkak të dyshimeve, vitin e kaluar tërhoqi nga qarkullimi rreth 2.5 milionë monedha prej 2 eurove me vlerë 5 milionë euro, ku pas kontrolleve është konstatuar se një pjesë e tyre janë falsifikuar.
Ndërkaq, sipas Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2023 ishin zbuluar mbi 11.000 monedha të falsifikuara prej 2 eurove. /tvklan.mk