Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë një konference për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëritet, teksa tha se dy shtetet kanë raporte të mira dypalëshe.
Kurti, ndërkaq, tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.
Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u zhvillua kur raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të një incidenti më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidenca kosovare ka pretenduar se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Më pas, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit.
Kurti ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës, përderisa analistët në Kosovë kanë thënë më herët se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje për çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.
Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.
Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Në delegacionin kosovar për këtë vizitë në Shkup është edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i dërgoi notë proteste Shkupit, por edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ai i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.