Incidenti në aeroportin e Shkupit/ Kurti nesër në Shkup – Haradinaj kritika qeverisë së Kosovës!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër mbërrin për vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimeve, të hënën, Kryeministri i Kosovës do të takojë homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Kryeministrin Hristjan Mickoski.

Siç mësohet, takimi do të mbahet në ora 10:00 ku do të marrin pjesë edhe disa anëtarë tjerë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN.

Sipas informatave, pjesë e këtij takimi do të jetë edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schvarz.

Kjo vizitë ndodh në kohën kur Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Por, zhvillimet e fundit në raportet Shkup – Prishtinë, janë kritikuar ashpër nga opozita e Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një prononcimi për Ekonomia Online, krahas kritikave në adresë së Qeverisë së Kosovës, për mos anwtarësimin në NATO, njohjeve të munguara dhe sanksioneve nga BE-ja, ka drejtuar akuza ndaj Kryeministrit Kurti për qasjen e tij ndaj Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ai nuk i shërben shqiptarëve është i rekrutuar prej Serbisë. Po i jap disa shembuj i ka përçarë shqiptarët e Preshevës në mënyrën më të keqe, i ka bë pikë e pesë, është dalë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë të bartësve të saj, Ali Ahmeti. Ai as nuk e di se kënd e ka përkrah në Maqedoni por ka dalë publikisht kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sot në Maqedoni qeveria e re ka marrëveshje për të patrulluar me policinë serbe. Pra Policia e Serbisë patrullon me Policinë e Maqedonisë, këtë qeveri e ka përkrah Kurti”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkohë, lidhur me këtë incident diplomatik, nga Prokuroria Për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, thonë se punojnë për zbardhjen e rastit, mes tyre edhe departmenti i veçantë që është kompetent për sigurimin e Kryeparlamentarit Afrim Gashi.

Incidenti me Presidenten e Kosovës, në Aeroportin e Shkupit, ndodhi të enjten, akt të cilin Prishtina zyrtare e ngriti në nivel më të lartë diplomatik duke kërkuar kërkimfalje nga Shkupi.  /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share