Incidenti në aeroportin e Shkupit/ LSDM: VMRO-DPMNE mbron sigurimin e Gashit, “Levica” paralajmëron interpelancë për Gashin!

Socialdemokratët thonë se sipas informatave që i posedojnë, VMRO-DPMNE-ja po përpiqet që të mbrojë anëtarin e sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi që ka shkaktuar incidentin në Aeroport gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas LSDM-së, sigurimi ka shkelur rëndë autorizimet e tij dhe fillimisht duhet të pezullohet e më pas të ndiqet penalisht.

“Mickoski kishte gojën plot me ofendime se si LSDM-ja ishte e nënshtruar në Qeveri, kurse partia e tij mbyll sytë nga incidentet serioze të partnerit të tyre të koalicionit. I bëjmë thirrje Toshkovskit dhe Mickoskit që në 24 orët e ardhshme të veprojnë konform gjetjeve në këtë kundërtën në tërësi do ta publikojmë rastin. Qartazi se po përpiqen t`i fshehin faktet dhe të mbrojnë sigurimin e Gashit. Kjo është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha premtimet e Mickoskit në fushatën parazgjedhore për zbatim joselektiv të ligjeve”, thonë nga LSDM.

Janë prononcuar edhe nga partia “E Majta” e Dimitar Apasievit.

Sipas tyre, pas skandalit me lutjen në Kuvend dhe incidentit në Aeroportin e Shkupit, Afrim Gashi tashmë nuk ka integritet ta kryejë funksionin e Kryeparlamentarit dhe “Levica” do të dorëzojë interpelancë për shkarkimin e tij.

Nga “Levica” presin që në takimin Mickoski – Kurti, Kryeministri I qeverisë maqedonase të mbrojë institucionet maqedonase dhe ta dënojë, sic thonë, sjelljen e Presidentes së Kosovës.

“Reagimin dhe notën e protestës së Kosovës e vlerësojmë si të turpshme. Me vet faktin që Osmani tërësisht ka anashkaluar MPB-në dhe MPJ-në dhe ka thirrë Kryeparlamentarin Gashi, konfirmohet se një pjesë e kësaj qeverie në mënyrë të drejtpërdrejtë kontrollohet nga Kurti”, thonë nga Levica.

Por, jo vetëm kaq!

Për vizitën e Kurtit në Shkup por edhe për arrestimin e 5 serbëve në Kosovë për krime lufte, për portalin Racin.mk është prononcuar edhe deputeti serb në Kuvend njëherit edhe Ministri për marrëdhënie midis komuniteteve Ivan Stoilkoviq.

Stoilkoviqi duke adresuar kritika ndaj disa gazetarëve pretendon se po targetohet ai dhe populli serb në Maqedoninë e Veriut.

“Është për keqardhje anashkalimi i çështjeve për transferimin e padurueshmërisë ndaj Serbëve në Maqedoni nga ana e mediave Shqiptare dhe politikanëve. Heshtni ndaj gjuhës së urrejtjes ndaj meje, targetimin tim dhe popullit serb në Maqedoni, kurse jeni të interesuar për sjelljen e autoriteteve të Prishinës që vazhdimisht kryejnë terror mbi serbët. E habitshme, por e pritur!”, deklaroi Stoilkoviq.

Ndryshe, Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Republikën e Kosovës përmes një note proteste ka reaguar ndaj incidentit me presidenten Vjosa Osmani që ka ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ndërsa Ambasada e Kosovës në Shkup ka sqaruar që kjo nuk është nota e parë, siç ishte pretenduar në media. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share