Partia maqedonase opozitare LSDM ka reaguar në lidhje me incidentin e mbrëmshëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.
Nga LSDM pyesin autoritetet nëse po fshehin versionin e vërtet të ngjarjes.
“Publiku është në konfuzion të plotë pas incidentit të djeshëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi të gjitha palët dolën me versionin e tyre të ngjarjes. Pyesim, a po fshihet versioni i vërtetë i asaj që ka ndodhur dhe për çfarë arsye?”, pyesin ata nga LSDM-ja opozitare.
Partia thotë se “përderisa Kosova e cilëson ngjarjen si “skandal diplomatik”, publiku nuk u nderua as me një konferencë për media nga MPB-ja për të kuptuar se çfarë ndodhi. A është e vërtetë se një person nga sigurimi i Gashit ka kërcënuar me armë zjarri punonjës të TAV-it dhe cili ishte roli i tij? Ministria e Brendshme do ta hetojë dhe ta bëjë të ditur këtë në detaje apo do të tentojë ta fshehë rastin? Është më se e qartë se dikush po përpiqet të fshijë disa fakte nën tapet. LSDM kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe njoftim transparent nga MPB-ja”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga atje thonë se si në shumë situata të tjera, edhe në këtë mandat të shkurtër të Qeverisë, qytetarët nuk e dinë se çfarë po ndodh dhe cila është e vërteta.
“Shohim çdo ditë informacione kontradiktore për shumë tema direkt nga përfaqësuesit më të lartë të qeverisë. Mucunski thotë një gjë për kredinë për hekurudhën për Bullgarinë, Nikollovski një tjetër. Mickoski bërtet se do të gjejë një mënyrë për t’i ulur pagat e zyrtarëve, ministrja e financave thotë se ajo do të largohet nëse i zvogëlohen pagat. Partitë shqiptare në pushtet kanë pretendime krejtësisht të ndryshme nga VMRO-DPMNE për të gjitha çështjet e interesit të tyre, pavarësisht nëse është ASHAM-i shqiptarë apo balancuesi”, akuzojnë sot nga LSDM.