Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë në një sallë të stërmbushur e të entuziazmuar në Atlanta se 98 ditët e ardhshme do të jenë një luftë, porse në fund demokratët do t’i fitojnë zgjedhjet presidenciale, duke e ngacmuar Donald Trumpin, i cili një ditë më parë ka shprehur mëdyshje kur është pyetur për një debat sy më sy në javët e ardhshme, shkruan agjencia e lajmeve, AP.
“Momentumi në këtë garë po ndryshon”, ka thënë kandidatja e mundshme e demokratëve. “Dhe ka shenja se këtë po e ndjen edhe Donald Trumpi”.
Pak më shumë se një javë më parë, Georgia dukej se po u rrëshqiste demokratëve nga duart: Fushata e Joe Bidenit ishte zotuar të përqendrohej më shumë në ruajtjen e mbështetjes në shtetet e “murit të kaltër” të demokratëve dhe sinjalizoi mund të shmangte angazhimin e madh në fushëbetejat e “Sun Beltit”. Por tani që Biden është tërhequr nga kandidimi dhe Harrisi shihet si kandidatja pothuajse e zyrtarizuar, demokratët po shkrehin shpresën e zgjerimit të basenit elektoral.
Në shtetin që i dha Bidenit fitoren më të ngushtë më 2020, Harrisi ka mbajtur një tubim të madh për ta sinjalizuar Trumpin: Një aktivitet i madh, plot me mbështetës që brohorisnin emrin e saj, derisa ajo po ngacmonte rivalin republikan dhe bashkgaruesin e tij JD Vance, duke e quajtur “të çuditshme” politikën e tyre dhe vlerësuar si të prapambetura premtimet e tyre.
Harris e shfrytëzoi rastin duke thënë: “Pra, ai nuk do që të debatoj me mua dhe bashkëgaruesi i tij ka shumë për të thënë për mua”. “Dhe, meqë ra fjala, nuk ju duken shumë gjëra të tyre si shumë të çuditshme”.
“Paj, mirë Donald”, theksoi Harris, duke iu referuar rivalit me emër. “Shpresoj se do ta rikonsideroni. Më prit në skenën e debatit… sepse siç thotë ajo shprehja, nëse ki diçka për të më thënë, ma thuaj në fytyrë”.
Trumpi ka sugjeruar se debati televiziv i 10 shtatorit në ABC News duhet të bartet në një kanal tjetër televiziv, duke e quajtur ABC-në si “fake news”.
Javën e kaluar, në një bisedë telefonike me gazetarë, Trumpi u pyet nëse do t’i qëndronte besnik deklarimit të mëhershëm që së paku njëherë të debatojë me Harrisin, Trumpi tha: “Oh, po, absolutisht. Do të doja”, dhe tha se debati ishte obligim.
Në intervistën e së hënës mbrëma për “Fox News Channel”, moderatorja Laura Ingraham insistoi nëse Trumpi do ta mbante fjalën e dhënë.
“Dua të bëj një debat. Por edhe mund ta them këtë. Të gjithë e dinë kush jam unë. Dhe tani njerëzit e dinë kush është ajo”, deklaroi Trump.
Trumpi pastaj tha: “Përgjigja është po, mbase në fund do të debatojmë”.
Dhe nuk kaloi shumë kohë dhe tha se çfarëdo debati që është i nevojshëm duhet të kryhet para nisjes së votimit nëpër shtete, dhe pastaj shtoi: “Përgjigja është po, por unë gjithashtu mund ta bëj punën që të mos e bëjmë”.
Trumpi më parë u kishte bishtnuar debateve, përfshirë debateve të zgjedhjeve partiake për ta nxjerrë kandidatin republikan për president. Fillimisht nuk kishte marrë pjesë pasi kishte konsideruar se ishin të hershme dhe pastaj vuri në dyshim një tjetër para se ta bënte të qartë se nuk do të merrte pjesë fare në to./AP