Një numër i lartë azilkërkuesish për javë të tëra kanë mbetur të bllokuar në një zonë të ndërmjetme të kontrolluar nga OKB-ja midis dy Qiprove.
Për pak më shumë se tre muaj rreth 40 njerëz janë bllokuar në tokën e askujt, në atë që po bëhet gjithnjë e më shumë një betejë midis një qeverie të vendosur për të mos i pranuar ato, dhe Kombeve të Bashkuara që thonë se Qiproja është e detyruar, sipas konventave ndërkombëtare.
Ngërçi politik ka lënë burra, gra dhe fëmijë të mbërthyer në dy vende të ndryshme përgjatë vijës 180 km me Qipron, në vapën përvëluese, pa ujë, ushqim ose energji elektrike. Jashtë çdo lloj standardi janë edhe kushtet higjeno-sanitare.
Zëdhënësja e UNHCR-së, Emilia Strovolidou, e ka cilësuar situatën tepër të rëndë, pasi gjarpërinjtë, insektet dhe minjtë në zonë janë gjithashtu një rrezik për shëndetin.
“Kjo situatë këtu ka nevojë për vëmendje të madhe. Valët e përsëritura të të nxehtit, pluhuri dhe lagështia, gjithashtu prania e minjve, insekteve, madje edhe gjarpërinjve në zonë paraqesin shqetësim të madh për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve që janë bllokuar këtu, duke përfshirë gra dhe fëmijë.”
Pothuajse të gjithë këta emigrantë kanë udhëtuar nga Turqia në Qipron veriore dhe më pas kanë tentuar të kalojnë në jugun e njohur ndërkombëtarisht të Qipros përpara se të ndalohen nga autoritetet. Ministria për emigracionin ka thënë më parë se edhe pse emigrantët kanë udhëtuar nga Turqia, ai vend duhet t’i marrë ata.
“Nuk dua, kurrë nuk dua të jem refugjat, por nuk është zgjedhja ime. Është shumë e vështirë për mua, vendosa të vij këtu sepse nuk kam zgjidhje tjetër.”
“Kam ardhur këtu për këtë qëllim, për të kërkuar azil dhe strehim, sepse aktualisht jemi njerëz pa shtetësi. Policët na kthyen edhe pse jeta jonë ishte në rrezik serioz.”
Qiproja në prill pezulloi përpunimin e kërkesave për azil pas një rritjeje të mbërritjeve të parregullta nga deti. Kjo rritje vjen teksa popullësia vendase ka shprehur shqetësime për emigrimin e paligjshëm dhe një qeverie që nuk dëshiron të shohë një rrugë të re emigracioni nga veriu.
Klan News