Presidenti kolumbian nënshkruan ligjin për ndalimin e ndeshjeve me dema

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka nënshkruar një ligj që ndalon ndeshjet me dema në vend, gjatë një ceremonie të mbajtur në një tribunë demash në Bogota, përpara qindra aktivistëve të të drejtave të kafshëve. Ligji, i cili u miratua nga Kongresi Kolumbian në maj pas muajsh debati, kërkon që qeveria të ndalojë plotësisht ndeshjet me dema deri në vitin 2027.

Në fjalimin e tij pas nënshkrimit të ligjit, Petro theksoi se vrasja e qenieve të gjalla për argëtim nuk mund të konsiderohet kulturë dhe paralajmëroi se një kulturë e tillë mund të çojë në dhunë ndaj njerëzve.

“Ne nuk mund t’i themi botës se vrasja e qenieve të gjalla për argëtim është një kulturë. Kjo lloj kulture e vrasjes së kafshëve për qejf mund të na çojë edhe ne të vrasim njerëz për qejf, sepse edhe ne jemi kafshë,” tha Petro.

Ndeshjet me dema kanë qenë një traditë në Kolumbi që nga koha e kolonializmit spanjoll, por ndalimi i tyre është kundërshtuar nga të apasionuarit pas kësaj praktike, të cilët argumentojnë se ndalimi shkel të drejtat e pakicave për të shprehur trashëgiminë e tyre kulturore dhe kërcënon jetesën e atyre që sigurojnë të ardhurat nga këto ngjarje, si matadorët dhe sponsorët.

Aktualisht, vetëm shtatë vende lejojnë ndeshjet me dema, përfshirë Spanjën, Francën, Portugalinë, Meksikën, Venezuelën, Ekuadorin dhe Perunë, megjithëse disa qeveri lokale dhe rajonale në këto vende kanë vendosur ndalime lokale.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share