Gjiganti teknologjik Microsoft ka vlerësuar se 8.5 milionë kompjuterë në gjithë botën janë përballur me probleme kibernetike në ditët e fundit, pas një gabimi në përditësimin e sistemit nga kompania për siguri kibernetike, CrowdStrike. Ky incident është konsideruar si një nga më të rëndët në histori, duke shkaktuar kaos në operacionet e shumë bizneseve, përfshirë aeroportet, bankat dhe spitalet.
Zëvendëspresidenti i Microsoftit, David Weston, ka thënë se shifra prej 8.5 milionë pajisjeve është më pak se 1% e të gjitha pajisjeve Windows në botë. Ai theksoi rëndësinë e kontrolleve të vazhdueshme në proceset e përditësimit për të parandaluar incidente të tilla.
Ndërkohë, ekspertët kanë paralajmëruar se hakerët mund të shfrytëzojnë këtë situatë për të kryer sulme të tjera kibernetike. Shefi i CrowdStrike, George Kurtz, ka inkurajuar klientët që të sigurohen se po flasin me përfaqësues të kompanisë përpara se të shkarkojnë ndonjë përditësim.