Plazhet thuajse bosh në Vlorë, kryebashkiaku: Bizneset të mos abuzojnë me çmimet, do t’u kthehet në bumerang

Në 15-ditëshin e parë të korrikut vihet re rënie e numrit të turistëve në brigjet e Vlorës, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Report tv publikoi pamje të pasdites të së enjtes në Plazhin e Vjetër dhe në Lungomare, ku siç shitet në pamje shezlongët në brezin e dytë dhe të tretë janë bosh.

Vendasit tregojnë se gjatë ditëve të javës plazhet janë pak të frekuentuara, por popullohen në fundjavë.

“Turistët kanë ardhur me vonesë këtë radhë në Vlorë”. “Në krahasim me vitin e kaluar është shumë keq. Çmimet janë skandaloze!”“Plazhistë s’ka dhe të mos thonë se ka turistë, sepse nuk ka”, thonë vendasit.

Pushues nga qytete te ndryshme si Tirana e Prishtina por dhe turistët e huaj nga Ukraina e Rumania thanë për Report tv se këtë vit çmimet janë rritur si në bare e restorante ashtu dhe në hotele.

“Çadrat kanë shkuar 10 euro në ditë, ndërsa dhomat nga 90 deri në 100 euro nata në Lungomare. Këtë vit është më shtrenjtë kudo nëpër plazhe”.

Kryebashiaku i Vlorës, Ermal Dredha u bëri thirrje operatorëve turistikë të mos abuzojnë me çmimet.

“Duhet të jenë të kujdesshëm që të mos i rrisin çmimet se do t’u kthehet në bumerang. Bizneset që operojnë në qytetin tonë mund të jenë konkurrues në rajon vetëm nëse mbajnë çmime të kënaqshme”, tha Dredha.

Përpos çmimeve ai shton se në uljen e numrit të turistëve kanë ndikuar punimet në rrugët e qytetit për shtrimin e rrjetit të ri ujësjellës.

“Ka pasur probleme teknike dhe ngërç mes kompanisë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Askujt nuk i pëlqen të shohë rrugët e çara, por shpresoj që kur të mbarojë gjithë investimi, Vlora do të ketë ujë 24 orë”, shton ai.

Gjithsesi kryebashkiaku shpreson se numri i turistëve dhe pushuesve vendas do të rritet në 15-ditëshin e dytë të korrikut dhe në gusht, kjo referuar rezervimeve që janë kryer në hotele.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share