MICKOSKI: DUHET TË FOKUSOHEMI NË TË ARDHMEN
Mickoski nga Uashingtoni dërgoi mesazhe se vendi dhe rajoni ishin peng të së kaluarës për një kohë të gjatë, sipas tij, tani duhet të fokusohemi në të ardhmen.
Përmes një video-mesazhi drejtuar opinionit, kryeministri Hristijan Mickoski, nga Uashingtoni bëri të ditur se gjatë takimeve që ka pasur gjatë ditës ka dërguar mesazhe, të cilat i referohen shtetit, por edhe rajonit.
“Për një kohë të gjatë rajoni dhe Maqedonia si shtet ishin peng i së kaluarës. Ne duhet të fokusohemi tek e ardhmja dhe ajo që vjen me të ardhmen. Ta bëjmë Maqedoninë sërish krenare, por edhe ta bëjmë sërish krenar Ballkanin. Të jemi fqinjë të mirë, të bashkëpunojmë”, tha Mickoski.
Mickoski ju dërgoi porosi edhe politikanëve në RMV që siç i quajti ai, të korruptuarit për të cilët tha se ka kaluar më ajo kohë ku për ineresa personale kanë firmosur çdo gjë që është ofruar në tavolinë.
“Ka kaluar koha e kurrizit të përthyer, ka kaluar koha e politikanëve të korruptuar që vijnë nga Maqedonia dhe politikanëve që janë të gatshëm të mbrojnë korrupsionin dhe krimin e tyre dhe të bëjnë tekstualisht çdo gjë. Të firmosin gjithçka, të pranojnë çdo poshtërim që do t’u ofrohet në tavolinë vetëm për të mbrojtur krimin e tyre. Ajo kohë tashmë është histori dhe e kaluar”, tha Mickoski.
Në suaza të Samitit të Natos Kryeministri Hristijan Mickoski, gjithashtu është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Në një postim në Facebook për takimin me Ramën, Mickoski shkruan se ‘Rajoni mund të zhvillohet vetëm nëse punohet shpejt për të ardhmen dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Është koha për të filluar një epokë të re të dialogut të barabartë dhe miqësive të sinqerta”,ka shkruar Mickoski./tvklan.mk/