SHBA e vendosur për t’i frenuar përpjekjet për minimin e paqes në Ballkanin Perëndimor

Dy senatorët amerikanë Jean Shaheen dhe Thom Tillis, të marten u takuan me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku në mesin e tyre ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili ndodhet në Washington për Samitin e NATO-s.

Të dy senatorët, deklaruan të marten përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe disktuan për mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Senatorët vlerësuan kontributet e këtyre vendeve në NATO, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe rolin e tyre ndaj stabilitetit rajonal.

“Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha Senatorja Shaheen.

“Uniteti ynë i palëkundur është një shprehje e qartë e vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara për të frenuar përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ajo.

Derisa senatori Tillis, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, shkruan Zëri i Amerikës transmeton Klankosova.tv

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, dhe si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, në mënyrë të veçantë në kushtet kur Rusia vazhdon luftën e paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët tanë të NATO-s”, tha Senatori Tillis.

Në takim morën pjesë edhe senatorët republikanë Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts.

Si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s, Shaheen dhe Tillis kanë drejtuar përpjekjet dypartiake në Senat në mbështetje të Aleancës transatlantike.

Ata kanë bërë thirrje për një rikonfirmim të angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s.

Këtë javë në Washington po mbahet takimi i nivelit të lartë të aleancës, që shënon 75 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit për themelimin e saj, një përvjetor që vjen mes sfidave jetike për aleancën.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share