Presidenti i SHBA Joe Biden hodhi poshtë të gjitha spekulimet në lidhje me një tërheqje të mundshme nga gara para zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbajti një takim me dyer të mbyllura me stafin e fushatës dhe zhvilloi edhe bisedime me ligjvënësit dhe guvernatorët demokratë teksa u tha se nuk do të shkonte askund.
“Askush nuk po më shtyn të largohem. Unë nuk po largohem. Unë jam në këtë garë deri në fund”, tha Biden në një postim e-mail nga fushata e tij, duke u kërkuar mbështetësve të financojnë fushatën për të mposhtur rivalin republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit.
Tre nga guvernatorët e Nju Jorkut, Minesotës dhe Maryland-it u zotuan se presidenti amerikan do të qëndrojë pas asaj që ata e quajtën një performancë e keqe në debatin e javës së kaluar. Shqetësimet janë rritur në kampin e demokratëve në lidhje me moshën e presidentit me disa që kërkuan tërheqjen e tij nga gara pasi nuk është i përshtatshëm për një tjetër mandat. Lloyd Doggett, ligjvënës i Dhomës së Përfaqësuesve nga Teksasi u bë zyrtari i parë demokrat që i bëri thirrje publike Biden të tërhiqej.
Një sondazh i Wall Street Journal zbuloi se Trump ruan një epërsi më të madhe në krahasim me Biden me gati tre pike më shumë në 49% nga 43% që ka presidenti amerikan. Zëvendëspresidentja Kamala Harris ndërkohë ka fituar mbështetje në mesin e demokratëve si zëvendësuese e mundshme e Biden.
Nga ana tjetër sipas Reuters, e vetmja që mund t’i krijojë telashe Trumpit është Mishel Obama, ish-zonja e parë, e cila rezulton me një mbështetje 50% me 39% nëse do të përballej me të. Megjithatë, Mishel Obama e ka hedhur poshtë çdo mundësi për të kandiduar për presidente.
Klan News