Historike!!! Lakers zgjedhin djalin e LeBron në “draft”, për herë të parë babë e bir luajnë në një ekip në NBA

Ashtu si një skenar i përsosur i Hollywood, raundi i dytë i “draft” të NBA ofron fundin e lumtur që të gjithë prisnin. Me zgjedhjen e 55-të, Lakers përzgjedhin 19-vjeçarin Bronny James, i cili do të bëhet shoku i skuadrës së babait të tij LeBron sezonin e ardhshëm. Një kombinim babë e bir nuk ishte parë kurrë në historinë e NBA.

LeBron James, 39 vjeç dhe Bronny James, 19 vjeç, do të luajnë së bashku sezonin e ardhshëm në NBA për Los Angeles Lakers. Në teori, kontrata e LeBron James do të përfundonte nëse ai nuk do të ushtronte opsionin për ta zgjatur atë për një sezon të mëtejshëm deri më 29 qershor, por në këtë pikë rinovimi duket i qartë.

Gjithsesi, rruga drejt NBA-së për të riun James kalon para së gjithash përmes Ligës Verore në Las Vegas, e cila do ta shohë Bronny si atraksionin e madh të turneut. Pastaj do të ketë shumë punë individuale për të arritur në fazën përgatitore në gjendjen më të mirë të mundshme, ku do të gjejë në të njëjtën dhomë zhveshjeje babain e tij LeBron.

Ideja që një lojtar në pragun e të 40-tave mund të ndajë një parket të NBA-së me djalin e tij është sigurisht diçka jashtëzakonisht magjepsëse. Fakt është që LeBron James është ende dominant në fushë, ndaj djali i tij ka se çfarë të mësojë prej tij. LeBron ka festuar në Instagram duke u deklaruar “i bekuar” që mund të luajë më djalin e tij.

Basketbollistët që zgjedhen në raundin e dytë nuk kanë kontrata të garantuara, por pritshmëria është që Lakers ta përfshijë rregullisht në listën e 15 lojtarëve për sezonin e ardhshëm. Bronny është një anësor dhe arrin në NBA pas vetëm një sezoni, një sezon të fundit mediokër, me një mesatare prej 4.8 pikësh, 2.8 rebound e 2.1 asist për ndeshje.

Në korrik 2023, djaloshi pësoi një arrest kardiak gjatë stërvitjes, por mundi jo vetëm të rikthehej në fushë në dhjetor, por tashmë përmbush edhe ëndrrën e tij për të luajtur në NBA. Rob Pelinka, menaxheri i përgjithshëm i Lakers, tha: “Bronny punon jashtëzakonisht shumë dhe ka karakter të shkëlqyeshëm”.

“Këto janë cilësi që ne kërkojmë, ai do të jetë pjesë e bërthamës së re që duam të zhvillojmë. Për herë të parë një baba dhe biri i tij do të luajnë në të njëjtin ekip në NBA, do të jetë diçka absolutisht magjike. Bronny ka cilësi të mëdha morale”, tha më tej Pelinka, duke i hapur “dritën jeshile” djalit të LeBron James./tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share