Banorët e Likovës bashkëjetojnë me deponinë e Arsenit/ 450 mijë tonë mbetje toksike helmosin banorët që nga vitet e 70-ta

“Nxënësit vuajnë për ujë të pastër, nuk kemi ujë të pastër, çdoherë që janë bërë analizat uji ka dalë i ndotur”.

Për më shumë se 50 vite, banorët e fshatrave Llojan, Vaksincë dhe Tabanoc jetojnë në ambient të ndotur nga arseni, i kthyer në deponi pas mbylljes së minierës në afërsi të fshatit Llojan. Arseni është helm i cili është vdekjeprurës për shëndetin e njerëzve. Mbetjet e arsenit, ndotin ajrin, ujin dhe tokën.

“Ndotet edhe toka, për arsye se në hyrje të fshatit i kemi arat dhe ato mbjellën me kultura të ndryshme bujqësore e sidomos kur fryn era e bartin arsenin dhe e shtresojnë në arat punuese. Me produktet bujqësore që përdorin për ushqim njerëzit, do të thotë ne faktikisht e përdorim edhe arsenin, do të thotë arseni futet në organizmat tona” – tha Afrim Zimeri, arsimtar.

Miniera, prej të cilës nxirrej arsen dhe minerale të arsenit dhe antimonite të gjitha këto toksike, ka qenë në pronësi të shtetit, por ishte mbyllur pas vlerësimeve se nuk është ekonomike. Rrezikun nga arseni e vërteton edhe fakti se është përdorur si helm efikas.Supozohet se ka rreth 450 mijë tone mbetje të arsenit, antimonite dhe kromit.

“Deponia e arsenit këtu daton që nga vitet e 70-ta dhe paraqet një rrezik permanent për nxënësit e shkollës, për banorët e fshatit Llojan, por edhe për banorët e fshatit Vaksincë” – tha Afrim Zimeri, arsimtar.

Banorët i ndjejnë pasojat në përditshmëri, por gjendja bëhet më kritike kur fryn era dhe e bart pluhurin toksik.

“Kundërmon pa ndërprerë edhe kur nuk ka erë edhe kur ka erë kundërmon këtu erë arseni, po të ngjitemi këtu lart minierës do të shohim se edhe veshjet që i kemi në trup atëherë do të shohim se do të bëhen me arsen edhe veshjet” – tha Afrim Zimeri, arsimtar.

Arseni është një ndër metalet I cili është vendosur në listën e metaleve kancerogjene.

“50 herë më shumë ka uji arsen se sa është e lejuar me norma ndërkombëtare” – tha Zimeri.

Edhe pse deponia toksike ndodhet vetëm 100 metra në vijë ajrore prej shkollës fillore “Rilindja” në Llojan, autoritetet nuk e kanë parë të arsyeshme që të merren më seriozisht me këtë problematikë.

“Me atë që kam lexu, kjo minierë i jepet me koncesion ndonjë miniere tjetër më të madhe, jo nuk bëhet, jo është shtyrë. Pushteti lokal, pushteti qendror të them të drejtën nuk kanë pasur interesim fare”.

Ndryshe, Ministria e Mjedisit Jetësor prej më shumë se një viti premton rrethim dhe mbulim të arseni dhe mbetjeve të lëndëve të para minerale të tjera të hedhura në Llojan dhe Tabanoc, si zgjidhje afat shkurte, derisa të gjendet koncesionar I cili duhet ta largojë deponinë e rrezikshme nga Llojani dhe Tabanoci dhe ta dërgojë në një lokacion tjetër jashtë shtetit, por edhe kjo nuk është bërë ende. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share