Ish-kapiteni i Reprezentacionit të ish-Jugosllavisë dhe ish-seleksionuesi i Bosnjë e Hercegovinës, Faruk Haxhibegiq, gjatë një prononcimi për emisionin EUROKLAN 2024 në Klan Maqedoni, ka thurrë elozhe për lojën e kombëtares shqiptare.
Haxhibegiq nuk është surprizuar nga paraqitja e Shqipërisë, pasi konsideron se kombëtarja jonë, mund të bëjë më shumë në EURO 2024.
“Shqipëria është surprizë për ata që nuk e ndjekin futbollin. Shqipëria, nëse sot quhej Francë, do të ishte kandidati serioz që ta fitojë titullin e Kampionatit Evropian. Një kombëtare e përbërë nga shumë futbollistë cilësor, që kanë përvojë ndërkombëtare, shumë prej tyre luajnë në ligat e forta evropiane dhe këtë e dëshmuan. Ata e duan vendin e tyre, e duan kombëtaren dhe mund të pritet që të kalojnë në raundin tjetër. Më shumë më kanë entuziazmuar se sa që mund t`u gjej ndonjë mangësi. I uroj për paraqitjen, në çdo segment të lojës së futbollit kanë treguar se me meritë janë në EURO 2024” – ka deklaruar Haxhibegiq./tvklan.mk/