Në Shtetet e Bashkuara, numri i faqeve me përmbajtje të rreme në internet, të kamufluara si faqe lajmesh, tashmë ua kalon numrit të faqeve legjitime të mediave vendase. Analistët e mediave vërejnë se Rusia po luan një rol në shtimin e këtyre faqeve të rreme.
Organizata NewsGuard, e specializuar në mbikëqyrjen e dezinformimit, ka identifikuar një rritje të faqeve të njohura për përhapjen e përmbajtjes me cilësi të ulët ose të dezinformimit. Këto faqe zakonisht krijohen nga entitete të njëanshme, që synojnë të tërheqin lexues drejt materialeve të paguara që sjellin fitim.
Përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale ka ndihmuar në shtimin e këtyre faqeve të rreme. Redaktorja McKenzie Sadeghi nga NewsGuard shprehet se kjo situatë mund të kërcënojë lirinë e shtypit dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ndërkohë, numri i faqeve legjitime të lajmeve lokale ka rënë në nivelin më të ulët historik, sipas një projekti të Universitetit Northwestern. Shumë prej tyre janë tashmë si “shkretëtira pa lajme”, duke u përballur me pakësimin e fitimeve dhe audiencave.