Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) informon rregullisht për raportime për gjarpërinj në zonat e banuara, ndërsa autoritetet apelojnë që gjatë verës të jenë të kujdesshëm, për të mbrojtur qytetarët nga zvarranikët.
Urgjenca mjekësore në Shkup regjistroi rastin e parë të kafshimit nga gjarpri.
Mjeku Dragan Panov nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në Shkup, në një deklaratë për MIA ka treguar se të martën është raportuar për një rast të kafshimit nga gjarpri. Bëhet fjalë për një burrë rreth të 50-ave i cili jetonte në Idrizovë.
“Me autoambulancë personi është transportuar për tretman në Klinikën Infektive në Shkup, ku është lënë për trajtim dhe vëzhgim të mëtutjeshëm”, tha Panov për MIA.
Ai apelon qytetarët që të kenë kujdes se ku lëvizin gjatë qëndrimit në natyrë dhe të veshin rroba të përshtatshme për t’u mbrojtur nga gjarpërinjtë.
Panov thotë se numri i intervenimeve emergjente mjekësore është rritur.
Ditët e fundit QMK ka informuar për raportime për gjarpërinj në disa zona të banuara dhe rekomandon lëvizje të kujdesshme sidomos në natyrë. Ata theksojnë se nuk ka asnjë shërbim të specializuar për kapjen dhe largimin e sigurt të gjarpërinjve.