Kombëtarja shqiptare rikthehet në stërvitje pas ndeshjes me Kroacinë

Pas sfidës me Kroacinë, Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë në kampin bazë stërvitor të kuqezinjve në Kaiserau. Ndeshja u zhvillua një ditë më parë në stadiumin e Hamburgut.

Skuadra iu drejtua fushës në orën 12:00 këtë të enjte, duke ndarë grupin në dy pjesë për të nisur përgatitjet zyrtare për ndeshjen e fundit në grupin B ndaj Spanjës.

Lojtarët që ishin titullarë ndaj Kroacisë kryen stërvitje të lehtë dhe pa ngarkesa, duke lëvizur midis palestrës dhe fushës. Ndërkohë, lojtarët që nuk u aktivizuan ose luajtën pak minuta bënë stërvitje me ngarkesë të plotë.

Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe nuk raportohen probleme fizike.

Shqipëria do të përballet me Spanjën në ndeshjen e fundit të grupit B në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Ndeshja zhvillohet më datë 24 qershor në stadiumin e Dusseldorfit, në ora 21:00.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share