Këtë fundjavë, një vendpushim i izoluar zviceran mbi liqenin e Lucernit do të transformohet, ndërsa dhjetëra liderë botërorë dhe mijëra ushtarë dhe policë do të zbresin në Bürgenstock.
Zviceranët shpresojnë se samiti i Ukrainës mund të prodhojë skicat e para të një tentative për një proces paqeje, rreth 28 muaj pasi Rusia nisi agresionin në Ukrainë. Kina dhe Rusia qëndrojnë larg dhe presidenti rus Vladimir Putin ka lëshuar një ultimatum të ri – duke kërkuar kapitullimin e Ukrainës.
Për Ukrainën, vetëm fakti që po zhvillohet ky samit është pozitiv. Politikanët në Kiev kanë përshëndetur çdo pjesëmarrës që kanë konfirmuar që do të jenë të pranishëm si një gjest mbështetjeje. Për ta, samiti duhet t’i tregojë Moskës se bota qëndron në anën e Ukrainës dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Takimi në liqenin e Lucernit do të përfshijë tre nga pikat më pak të diskutueshme në formulën e paqes të Presidentit Zelensky: çështjet e sigurisë bërthamore, dërgimi i ushqimit në tregjet globale dhe kthimi i fëmijëve dhe të burgosurve ukrainas.
100 delegacione do të marrin pjesë në samit, duke përfshirë 57 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota. Qëllimi i samitit është të inicojë një proces paqeje, të gjenerojë besim dhe të përvijojë ide për hapat e ardhshëm drejt një procesi të tillë. Të gjitha shteteve të pranishme duhet t’u jepet mundësia të parashtrojnë vizionet e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj. Do të marrë pjesë nënpresidentja e SHBA Kamala Harris dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Presidenti Joe Biden është rikthyer në SHBA për një mbledhje fondesh për fushatën në Los Anxhelos.
Klan News