Kryeministri britanik Rishi Sunak ka prezantuar pikat kryesore të platformës së tij për zgjedhjet e parakohshme të 4 Korrikut. Në manifestin e bërë publik, Sunak u zotua se do të ulë taksat dhe të reduktojë emigracionin nëse Partia e tij Konservatore fiton në zgjedhjet e përgjithshme.
“Ne do të ulim taksat deri në vitin 2027. Mes të tjerash ne do të vendosim një kufi të emigracionit të paligjshëm. Plani ynë është i qartë se ne do ta përgjysmojmë emigracionin pasi të kemi përgjysmuar edhe inflacionin dhe më pas do ta zvogëlojmë atë çdo vit. Kjo është arsyeja pse duhet të votoni konservatorët më 4 korrik, pasi fluturimet për të dërguar emigrantët në Ruandë do të nisen në korrik.”
Sunak mohoi zërat se ai mund të jepte dorëheqjen përpara ditës së votimit. Ai argumentoi se konservatorët janë partia e vetme me idetë e mëdha për ta bërë këtë vend një vend më të mirë për të jetuar.
Kundërshtarët kanë bërë të ditur se Sunak po bën premtime joreale dhe të papërballueshme në një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur humbjen. Sipas analistëve vendimi i befasishëm i Rishi Sunak për të thirrur zgjedhjet në verë, disa muaj më herët nga sa prisnin shumica e njerëzve, kishte për qëllim pjesërisht të kapte opozitën të papërgatitur.
Sondazhet i rendisin konservatorët rreth 20 pikë prapa Partisë Laburiste të Keir Starmer. Sunak ka argumentuar se opozita do të shkatërrojë rimëkëmbjen ekonomike. Perspektivat e partisë u përkeqësuan gjithashtu javën e kaluar kur populisti Nigel Farage njoftoi se do të kandidonte për parlament në krye të partisë së krahut të djathtë “Reforma” në Mbretërinë e Bashkuar. Farage ka bërë fushatë në të gjithë vendin për të mbledhur mbështetje me retorikën e tij kundër imigracionit.
Klan News