Ligji për rioganizimin e Qeverisë 88 vota “pro” ndryshimeve ligjore – Fronti Evropian siguroi shumicën prej 2/3!

Me 88 vota “për”, para orës 03.00 të mëngjesit u votua Ligji për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me çka numri i Ministrive në Qeveri rritet për 25% respektivisht nga 16 në 20.

Shumicës prej 2/3 të VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, iu bashkangjit edhe Fronti Evropian i BDI-së duke siguruar votat kyçe për ndryshimin e përbërjes qeveritare.

Mbështetja ndodhi paraprakisht kur delegacione të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Frontit Evropian ishin takuar në Kuvend, me çka u njoftua se mbështesin ndryshimet.

Janë pranuar edhe kërkesa të Frontit Evropian.

“Në kuadër të takimit u bisedua edhe për dialogun e ndërsjellë ndërmjet pushtetit dhe opozitës, me ç’rast u pranua kërkesa e koalicionit Fronti Europian që brenda një kohe të shkurtër Kuvendi të formojë një komision ad hoc me Kryetar të propozuar nga opozita i cili do ta përcjellë përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në organet e administratës shtetërore dhe për punën e vet do ta informojë Kuvendin dy herë në vit”, thonë nga Fronti Evropian.

Por, jo të gjithë deputetët e Frontit Evropian mbështetën ndryshimet ligjore për Riorganizimin e Qeverisë. Ligji nuk u mbështet nga Deputetët e ASH-së së Ziadin Selës. Pavarësisht kësaj, nga kjo parti thonë se do të mbeten pjesë e Frontit.

“Ne mbetemi pjesë e Frontit Europian, për këtë qëllim edhe përfaqësuesi jonë mori sot pjesë në takimin e Frontit Evropian me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, por njëkohësisht ruajmë edhe autonominë tonë si subjekt dhe ruajmë qëndrimin tonë për tema që nuk pajtohemi siç janë këto ndryshime ligjore”, thonë nga ASH- krahu i Selës.

Janë prononcuar edhe nga koalicioni VLEN. Sipas tyre, Konstruktiviteti i mbrëmshëm e zbuti retorikën radikale të BDI-së.

“Ligji për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike në organet e administratës shtetërore është pjesë e marrëveshjes së koalicionit ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, e cila do të përmbajë mekanizma që do të zëvendësojnë balancuesin brenda afatit të arsyeshëm. Themelimi i komisionit parlamentar ad hok të kryesuar nga deputeti i opozitës është një hap i mirë në forcimin e kontrollit të pushtetit legjislativ mbi pushtetin ekzekutiv. VLEN-i shpreh kënaqësinë që thirrjet tona drejtuar disa deputetëve të BDI-së dhanë rezultate”, thonë nga VLEN.

Me votimin e Ligjit të ri për Riorganizimin e Qeverisë, tashmë u mënjanuan pengesat që mandatari Hristijan Mickoski ta bëjë kompletimin e kabinetit të ri qeveritar dhe bashkë me zgjidhjet kadrovike dhe programin ta dorëzojë për miratim në Kuvend.

Mickoski parlajmëroi se procedura do të jetë gati para skadimit të afatit ligjor prej 20 ditëve që nisi më 6 qershor./tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share