Ligji për riorganizimin e Qeverisë/ Mickoski: Esenca e Ligjit është zbatimi i reformave në administratë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut filloi sot seancën e dytë parlamentare, ku në rend dite është edhe Ligji për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore.

Ligji është propozuar nga VMRO – DPMNE, me të cilin parashihet rritje e numrit të ministrive nga 16 në 20.

Mandatari për Qeverinë e re, Hristijan Mickoski gjatë arsyetimit të këtij propozimi, tha se esenca e këtij ligji është zbatimi i reformave në administratë dhe zgjidhja e problemeve të qytetarëve me politika efikase.

“Në këtë mënyrë, pas disa dekadave vjen riorganizimi i ministrive në kudër të qeverisë, ku një pjesë e ministrive do të jenë të reja, ndërsa agjencitë që kanë qenë deri më tani do të shfuqizohen, një pjesë e ministrive do të rigrupohen, përkatësisht do të transferohen kompetencat nga një ministri në tjetrën, me qëllim që të zbatohen reformat që synon qeveria e re”, tha Hristijan Mickoski.

Gjatë përcaktimit të rendit të ditës nuk u pranuan kërkesat e deputetëve Sashko Jançev nga e majta dhe Oliver Spasovski nga LSDM për tërheqjen e propozim-ndryshimeve të këtij ligji.

“Sistematikisht nuk është e lejueshme që të sillet ligj me procedurë të shkurtuar, posaçërisht ligj i cili rregullon rritjen e numrit të ministrive dhe agjencive dhe nuk ka as vlerësim të ndikimit të rregullores. Këtu absolutisht bëhet fjalë për një ligj kompleks dhe të gjerë në kundërshtim me rregullore dhe ne votojmë për ta hequr këtë pikë nga rendi i ditës”, tha Oliver Spasovski.

Ndërkaq, Blerim Bexheti nga Fronti Evropian tha se, ky ligj nuk duhet të sillet në mënyrë të njëanshme por, me një proces të dialogut, pasi ka të bëjë me organe që janë në shërbim të qytetarëve.

“Mendoj se te legjitimiteti duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm që në atë që thirremi në shërbime më efikase, nuk do të ndërhyjë tash në këtë pjesë procedurale, pasi që çdo propozim ligj që bëhet analizon edhe implikimet financiare, por mbi të gjithë këtu flasim në praktik për funksionim dhe kur të vijë koha të debatojmë edhe si është përmbajtja e këtij ligji”, tha Blerim Bexheti.

Kuvendi sot po ashtu, verifikoi mandatet e deputetëve Adnan Azizi dhe Imrije Saliu – Fetai nga Koalicioni VLEN dhe pranoi raportin e Komisionit verifikues i cili paraprakisht miratoi raport se nuk ka bazë për kontestimin e verifikimit të mandateve të tyre./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share