Hamë ushqim të sigurt dhe cilësor. Gjithçka që është në qarkullim dhe i kontrolluar nga inspektorët është aboslutisht e sigurt, tha sot drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Nikollçe Babovski.
Në konferencën për media me rastin e 7 Qershorit, Ditës Botërore për Ushqim të Sigurt, Babovski informoi se në pesë muajt e parë të këtij viti janë bërë më shumë se 22.000 kontrolle inspektuese. Agjencisë i mungojnë edhe të paktën 40 inspektorë dhe institucioni nga qeveria e re do të kërkojë punësime të reja për shërbimin inspektues.
Sipas drejtorit, inspektorët, për momentin rreth 180, me vetëdije e kryejnë punën, ndërsa të gjitha masat lidhur me sigurinë e ushqimit që vlejnë në BE, zbatohen edhe te ne.
Ndodh që disa nga vendet në BE të na kthejnë ushqim të eksportuar dhe në raste të tilla gabimi është shumë shpesh në prodhimtarinë primare, në fusha, ku përdoren pesticide të caktuara.
“Qytetarët gjatë blerjes së çdo produkti të informohen mirë çka qëndron në deklaratat, veçanërisht të kenë kujdes për mënyrën e ruajtjes, si dhe afatit të përdorimit. Shpresh për gabime të caktuara të operatorëve ekonomikë mund të gjenden në raftet e marketeve produkte me afat të skaduar. Inspektorët tanë kësaj i kushtojnë kujdes të veçantë”, theksoi Babovski.
Nga fillimi i vitit në AUV janë parashtruar 79 nisma nga qytetarë për kryerjen e mbikëqyrjes inspektuese, prej të cilëve 32 kishin të bënin me sigurinë e ushqimit. Qytetarët janë ankuar për blerje të ushqimit me afat të skaduar të përdorimit, ushqim i përgatitur dhe i shërbyer në kushte johigjienike, ushqim joadekuat dhe ushqim të pa etiketuar, dyshime për helmim me ushqim, si dhe ankesa të tjera të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve ushqimore. Nga numri i përgjithshëm i nismave të parashtruara nga sfera e sigurisë së ushqimit, si të pabaza janë refuzuar katër. Pas ankesave të parashtruara dhe të bazuara veprojnë shërbimet inspektuese të AUV.
Siç tha drejtori Babovski, më shumë se 600 milionë njerëz në botë sëmuren nga ushqimi joadekuat, jocilësor ose i pasigurt, më shumë se 420.000 persona vdesin çdo vit nga ushqimi i pasigurt ose një nga 10 sëmuren nga ushqimi i kontaminuar. Ushqimi është njëherësh shkaktar edhe i më shumë se 200 sëmunjeve te njerëzit.
“Duke pasur parasysh se javën e ardhshme vendin e pret valë e nxehtësisë, deri 39 gradë, qytetarët në fund të furnizimit t’i blejnë produktet që prishen lehtë dhe menjëherë t’i ruajnë në temperaturë jo më të lartë se pesë gradë. Me këtë, bashkë, me përgjegjësi kujdesemi për shëndetin tonë”, porositi Babovski.
Motoja e Ditës Botërore të këtij viti është “Siguria e ushqimit: përgatituni për të papriturën”, ndërsa AUV iu bashkëngjit fushatës Safe2Eat për vitin 2024 të Agjencisë Evropiane për Siguri në Ushqim (EFSA) e cila realizohet me partnerët e vendeve anëtare të BE-së dhe vendet kandidate. Bëhet fjalë për ribrendim të fushatës #EUChooseSafeFood (BE-ja zgjedh ushqim të sigurt), me angazhim të rinovuar për promovimin e vetëdijes për sigurinë e ushqimit te qytetarët evropianë.
Safe2Eat në të cilën është e përfshirë AUV, synon të informojë qytetarët për aspekte të ndryshme të sigurisë ushqimore, duke u mundësuar atyre të bëjnë zgjedhjet e ushqimit të sigurt në sigurinë e tij, por edhe të rrisin besimin e tyre personal në sistemin ushqimor të BE-së. Fushata u drejtohet kryesisht qytetarëve evropianë nga mosha 18 deri në 55 vjeç, por edhe publikut të gjerë, pra, nga ata që kanë një nivel të lartë ndërgjegjësimi dhe pak shqetësim për sigurinë ushqimore, tek ata që janë shumë të shqetësuar dhe më pak të informuar për të.
Në vitin e tij të katërt të realizimit, fushata këtë vit është e përqendruar në tri sfera kyçe: praktika për ushqim të sigurt, ushqimi dhe shëndeti dhe çka ka në ushqimin tuaj.