Qeveria e re/ S`ka detaje të reja – rrjetet sociale “arenë” përplasjesh partiake!

VMRO-DPMNE-ja në brifingun e së shtunës nuk dha detaje të reja lidhur me mbarëvajtjen e negociatave për formimin e Qeverisë. Presin të ketë dicka të re për ta bërë publike për opinionin.

“Nuk mund të them asgjë më tepër nga ajo që është thënë në opinion. Kur të ketë ndonjë avancim real padyshim se do ta publikojmë se është për qytetarët”, tha Naum Stoilkovski.

Në mungesë të prononcimeve publike, rrjetet sociale mbeten platformat kryesore nga ku lansohen mesazhet politike.

Arben Taravari, përmes Facebookut, njoftoi se në Shtator do të mbahet Kongresi i ASH-së dhe bëri ftesë që të gjithë të bëhen, sic shkruan, pjesë e partisë!

“Pavarësisht çfarë mund të ketë ndodhur, pavarsisht si keni votuar, ASH-ja ju pret të gjithëve sepse ne jemi partia e lirisë dhe partia e Ndryshimit!” – shkruan Taravari.

Por, s`kishte se si të mungojë. Taravari ka edhe një mesazh për BDI-në.

“Opozita të jep dinjitet…sidomos kur ke nevojë!” – ka qenë mesazhi I Taravarit.

Kundërpërgjigjen nga krahu I Ziadin Selës.

Krenar Lloga përmes një postimi në Facebook, shkruan se ndodh që për herë të parë shqiptarët të drejtojnë vetëm 4 nga 16 resore ministrore në Qeverinë e paralajmëruar nga VMRO-VLEN.

Sipas Llogës, do të jetë më keq. Do bëjnë ndryshime ligjore që të bëhen 4 nga 19, e që, sipas tij, do të jetë ekzekutimi politiko-institucional i shqiptarëve të RMV-së.

Lloga sqaron se nuk ka dhe nuk ekziston resor Ministri për Integrim dhe Ministri për Qeverisje të Mirë.

Por një cështje tjetër që pret Qeverinë e ardhshme janë ndryshimet kushtetuese. Kryeparlamentari Afrim Gashi gjatë një prononcimi për Tv Telma, ka deklaruar se cështja e ndryshimeve kushtetuese duhet të zgjidhet sa më shpejt, por jo në llogari të cënimit të marëdhënieve ndëretnike në vend.

“Këtë e diskutoj edhe me faktorin ndërkombëtar se nuk mund t`i rrezikojmë raportet ndëretnike për një problem tjetër që është I rëndësishëm për integrimin. Këtë mund ta zgjidhim, por nëse cënojnë raportet s`kemi bërë asgjë si shtet”, tha Afrim Gashi.

Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, javën e ardhshme do ta ndajë mandatin për përbërjen e re qeveritare.  Afati për ndarjen e mandatit skadon më 7 qershor.

Mandatari, në këtë rast kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në afat prej 20 ditëve nga marrja e mandatit, duhet që në Kuvend ta dorëzojë përbërjen dhe programin e Qeverisë.

Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, zgjidhet nga Kuvendi me shumicë prej 61 nga gjithsejt 120 deputetët./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share