MOTI JOSTABIL NË VEND
Fatkeqësisht moti i lig mori viktimën e dytë në Maqedoninë e Veriut. Pas bariut në rajonin e Gjevgjelisë, rrufetë kanë qenë fatale edhe për një të r inga rajoni i Radovishit.
Një 20-vjeçar nga fshati Koxhali i Radovishit mbrëmë ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes nga rrufeja – njoftoi MPB-ja. Sipas tyre rreth orës 20.00 në Stacionin Policor në Radovish është denoncuar se në ora 19.30 në një lëndinë të këtij rajoni, nga rrufeja ka humbur jetë 20-vjecari R.M kurse është lënduar 23-vjecari Z.M.
Vdekjen e kishte konstatuar mjeku i urgjencës në Radovish, kurse personi I lënduar është dërguar në Spitalin e Shkupit – njoftoi MPB-ja.
Ndërkohë, sipas metereologëve, gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e një mase të nxehtë ajrore nga Afrika që do të rezultojë me ngritje të temperaturave që do të shkojnë mbi 30 gradë.
Por, kjo nuk do të thotë se do të kemi mot stabil. Paralajmërohen procese intensive lokale të motit jostabil.
“Për shkak të një aktiviteti ciklonik në veri të Italisë, presim atmosferë jostabile dhe në orët e pasdites lokalisht pritet mot jostabil. Për shkak të temperaturave të larta dhe energisë që do të akumulohet në atmosferë, lokalisht proceset do të jenë më intensive në formë të motit të lig të shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu, shkarkime të fuqishme elektrike dhe paraqitje të breshërit” – tha Slavço Popovski, meteorolog.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në rast të paraqitjes së motit të lig dhe shkarkimeve të fuqishme elektrike.
Moti I lig do ta përfshijë edhe rajonin kurse për shkak të pranisë së ajrit të ftohtë në qendër të ciklonit, në rajonin e Alpeve nuk përjashtohet mundësia që të ketë reshje dëbore. /tvklan.mk/