Nga sot vijon të rrjedhë afati dhjetëditor për dhënien e mandatit partisë ose partive që kanë shumicën në Kuvend për formimin e qeverisë së re.
Deri tani, nuk ka njoftim nga kabineti i presidentes Gordana Siljanovska Davkova se kur do t’i japë mandatin kreut të opozitës së deritanishme Hristijan Mickoski pasi një shumicë e re u konfirmua me deputetët që votuan zgjedhjen e kreut të ri në Kuvend.
Pas dhënies së mandatit, Mickoski do të ketë njëzet ditë afat për të prezantuar para deputetëve kabinetin e tij qeveritar si dhe programin e qeverisë së ardhshme.
Sipas paralajmërimeve, mandatari i ardhshëm nuk planifikon të shfrytëzojë në maksimum afatet dhe qeveria e re mund të jetë e votuar deri më 20 qershor.
Sipas kësaj marrëveshje e cila akoma është jozyrtare, VLEN-it do të t’i takojnë gjashtë ministra, njëri prej të cilëve do të jetë edhe zv/kryeministër i parë, si dhe shtatë zv.ministra. VLEN nuk e mohoi dhe as nuk e konfirmoi edhe informacionin që do t’i takojnë edhe rreth 400 drejtori.
Nga ana tjetër, ZNAM pritet të marrë dy poste ministrore por është akoma e paqartë sa zv/ministra dhe drejtori do të ndahen për partinë e Maksim Dimitrievskit.