Me nënshkrimet e 75 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Koalicionit VLEN dhe Lëvizjes ZNAM, kryetari i Alternativës pjesë e Koalicionit VLEN, Afrim Gashi është propozuar për kryetar të Kuvendit.
Deputetët e “Frontit Europian” janë larguar nga salla e Kuvendit, ku po mbahet seanca konstituive e përbërjes së re kuvendore.
Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN si propozues, tha se Gashi ka qenë deputet për tetë vjet, gjegjësisht tre mandate deputet dhe se bëhet fjalë për një politikan që nuk përmendet në raste për korrupsion.
“Është nder për të gjithë ne që Kuvendin ta udhëheq një politikan i tillë”, ka thënë ndër të tjera Mexhiti.
Paraprakisht, është zgjedhur përbërja e Komisionit për Çështje të Emërimeve dhe Zgjedhjeve.
Kuvendi sot në kuadër të seancës konstituive me 101 vota “pro” nga gjithsej 117 të pranishëm e miratoi raportin e Komisionit Verifikues dhe me këtë i verifikoi mandatet e 118 deputetëve. Me këtë iu ndërpre mandati i deputetëve të përbërjes së vjetër kuvendore. Deputetët e rinj të cilët janë bartës të funksioneve të tjera gjithashtu u është ndërprerë funksioni. Gjithsej gjashtë deputetëve u është ndërprerë funksioni në Qeveri, kështu që Qeveria do t’i kryejë vetëm funksionet teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re./MIA