Në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me shqiptarët e Italisë në pallatin e sportit “E-work Arena” në Milano. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se shqiptarët e Italisë janë shëmbëlltyra e ribashkimit me Europën.
Edi Rama: Të dashur vëllezër dhe motra shqiptarë të Italisë. Jam thellësisht i prekur nga mikpritja juaj. Dua që ta dini se më ka emocionuar tej mase vala e nxehtë e shumë shqiptarëve që më kanë shkruar gjithë këto ditë për t’i vizituar dhe aty ku janë në 4 anët e Italisë. Shumë faleminderit të gjithëve. Shumë e shumë të tjerë janë larg në qytete të tjera të këtij vendi mik.
Mirënjohje pa fund. Një përqafim të gjithëve ku janë nga kjo arenë e mrekullueshme ku flamujt kuq e zi dhe 3 ngjyrëshit italian dëshmojnë lidhjen e përjetshme mes 2 popujsh që të i ka bashkuar një det i tërë historie në këtë pellg ku është ngjizur shpirti i Mesdheut. Ju shqiptarët e Italisë jeni shëmbëlltyra e ribashkimit me Europën.
Ju jeni përbashkuesit më kryesorë të 2 brigjeve të Adriatikut. Ju jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër dhe Shqipërisë së re në shtratin e qytetarëve evropianë. Ju emigrantët e djeshëm shqiptarë dhe qytetarët e barabartë, jeni krenaria shqiptare për një mision të bashkimit përfundimit me Europën demokratike.