Organizatat Sindikale të të gjitha filialeve të Postës së Maqedonisë sot sërish kanë protestuar. Të punësuarit, ankohen se posta po përballet me krizë të jashtëzakonshme financiare dhe organizim të keq të punës.
Kryetari i sindikatave të Postës, Boro Veligdenov thotë se, protesta nuk ka të bëjë vetëm me çështjen se nuk kanë marrë paga, por sipas tij, edhe për ardhmërinë e kompanisë, përkatësisht për stabilizimin e saj dhe ruajtjen e vendeve të punës.
“Siç paralajmëruam muajin e kaluar, po hyjmë në proces të grevës sepse kemi arritur fundin dhe nuk kemi çfarë të humbim si të punësuar. Sipas rregullativave ligjore, greva do të mbahet pas 7 qershorit dhe do të jemi këmbëngulës deri në fund, do të luftojmë për mbijetesën e postës së Maqedonisë”, tha Boro Veligdenov.
Të punësuarit paralajmëruan se nëse nuk i marrin pagat, do të hynë në grevë. Por, kjo është kërkesa e vetme që kanë të punësuarit. Ata po ashtu, kërkojnë edhe reformim të postës.
“Të mos ketë më 15 filiale me 15 drejtorë dhe mijëra bashkëpunëtorë, neve na duhen punëtorë me procesin teknologjik që qytetarët të jenë të kënaqur nga shërbimet tona”, tha Sasho Dimitrievski.
Posta e Maqedonisë një kohë të gjatë po përballet me krizë financiare, ndërsa kjo nuk është hera e parë që të punësuarit në këtë kompani kanë shprehur revoltën dhe pakënaqësitë e tyre përmes protestës. Për muaj të tërë, ata kërkojnë sistematizim të ri, marrëveshje të re kolektive, modernizim teknologjik dhe paga të rregullta./tvklan.mk