Liderët reagojnë pas vdekjes së Presidentit të Iranit

Udhëheqësit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe vende të tjera shprehën ngushëllimet e tyre pasi presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe tetë të tjerë humbën jetën pas përplasjes me helikopter.

“I pikëlluar dhe i tronditur thellësisht nga vdekja tragjike e Ebrahim Raisi, President i Republikës Islamike të Iranit. Kontributi i tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe Indi-Iran do të mbahet mend gjithmonë,” u shpreh Narendra Modi.

Kryeministri i Irakut Mohammed Shia’ Al Sudani shprehu ngushëllimet ku e cilësoi humbjen e Raisit si një tragjedi për Iranin. Qeveria e Pakistanit ka bërë të ditur se do të mbajë një ditë zie dhe flamuri do të valëvitet në gjysmështizë si shenjë respekti për Presidentin Raisi. Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro tha se është i tronditur nga lajmi i tmerrshëm i humbjes së Presidentit të Republikës Islamike të Iranit.

Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi presidentin iranian Ebrahim Raisi si një politikan të shquar dhe tha se vdekja e tij ishte një humbje e pariparueshme.

“Si një mik i vërtetë i Rusisë, ai dha një kontribut të paçmuar në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i sjellë ato në nivelin e partneritetit strategjik”, tha Putin.

Ndërkaq qytetarët iranianë në Teheran shprehën tronditjen e tyre pas humbjes së jetës së presidentin iranian Ebrahim Raisit. Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei shpalli pesë ditë zie pas rrëzimit të helikopterit.

Në një mesazh të transmetuar nga agjencitë shtetërore të lajmeve të Iranit, Khamenei shprehu ngushëllimet e tij për vdekjet dhe konfirmoi se nënpresidenti i parë i Iranit, Mohammad Mokhber tani po menaxhon degën ekzekutive dhe Ali Bagheri Kani, i cili ka udhëhequr delegacionet iraniane përmes negociatave indirekte me Shtetet e Bashkuara mbi çështjet bërthamore dhe shkëmbimin e të burgosurve, është emëruar si ministrër i Jashtëm pas vdekjes së Hossein Amir-Abdollahian.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share