Kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, njëherazi edhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani sot në intervistën e tij dhënë për Kanal 5 ka folur për nevojën e ruajtjes së frymës së Marrëveshjes së Ohrit.
“Përmes Marrëveshjes së vitit 2001 që të dy komunitetet (shqiptarët dhe maqedonasit) bien dakord të mos bëjnë ndarje. E dini, ka pasur edhe një ofertë për t’u ndarë, nga ana e ASHAM. Oferta që iu bë palës shqiptare u refuzua dhe ne ramë dakord për një sistem unitar. Megjithatë, në të cilën do të respektohet vullneti i dy popujve në drejtimin e shtetit. Kjo është fryma e marrëveshjes së vitit 2001”, tha shefi i Diplomacisë së vendit Osmani.
Osmani ka theksuar se deri të marrëveshja është arritur për shkak të mbivotimit nga ana e shumicës dhe se shqiptarët ende kanë të freskët periudhën e viteve 90ta kur aso kohe PPD mbivotohej, në mungesë të mekanizmave për mbrojtje nga mazhoranca.