Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në suazat e pjesëmarrjes në Samitin rajonal të liderëve në Kotor, me moton “Një rajon, vizion i përbashkët”, u drejtua në Panelin “Gjendja në terren dhe planet e ardhshme – plan i ri i rritjes”.
Në fjalën e vet, Kryetari i Qeverisë theksoi se pavarësisht asaj që Maqedonia e Veriut gjendej në periudhë parazgjedhore, për Qeverinë, euro integrimi ishte prioriteti kryesor dhe ishte e përqendruar në zbatimin e reformave prioritare të cilat janë të rëndësishme për anëtarësimin e shtetit në BE.
“Qeveria që e drejtoj, mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të agjendës evropiane, e cila kërkon zbatimin e reformave thelbësore dhe harmonizim me të drejtën dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Në plotësim, e përshëndes miratimin e Rregullores për Mekanizmin e reformës dhe rritjes, me të cilën janë siguruar mjete financiare shtesë për mbështetjen e reformave, e përdorimi i të cilave është ndërlidhur me dhënien e rezultateve. Periudhën e kaluar, edhe përkundër faktit se Maqedonia e Veriut ishte në periudhë zgjedhore, kemi punuar në mënyrë intensive në finalizimin e Agjendës tonë reformuese 2024-2027. Drafti i fundit i Agjendës reformuese, i miratuar nga Qeveria, është ndarë me Komisionin Evropian në fillim të majit”- tha Kryeministri Xhaferi.
Në kuadër të këtij procesi, potencoi Kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi, në dy muajt e kaluar, Maqedonia e Veriut parashtroi para-aplikim për anëtarësim në SEPA dhe Qeveria shpalli thirrje publike në të cilën aplikuan më shumë qendra maqedonase për inovacione digjitale.
“Këto janë hapa të vegjël, por të rëndësishëm, që e konfirmojnë drejtimin e lëvizjes së vendit. Pres që me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim të zbatohen udhërrëfyesit më të fundit që kanë të bëjnë me afrimin e përshpejtuar ndaj tregut të përbashkët të brendshëm, por edhe zbatimin e Agjendës reformuese.
Dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme. Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, i mbështesim themelet parimore të vendosura në Planin e ri të aksionit për Tregun e përbashkët rajonal. Duke e marrë parasysh se jemi në periudhën para zgjedhjes së Qeverisë së re, aktivitetet e detajuara për të cilat janë përgjegjëse institucionet përkatëse, tek duhet të etablohen dhe zhvillohen në periudhën në vijim” – tha Kryeministri.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në fjalën e vet potencoi edhe se që të ketë sukses Plani i ri i aksionit për Tregun e përbashkët rajonal, për të cilin punojnë shumë të gjithë, duhet të zhbllokohet puna e CEFTA-s ndërsa Maqedonia e Veriut të ketë përfaqësuesin e saj në nivelin më të lartë.
“Shpresoj se kjo rrugë e trasuar do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes edhe për Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut” – theksoi Xhaferi në fund të fjalimit të vet.