RAPORTET SHKUP – ATHINË
Greqia nuk do t`i ratifikojë tre memorandumet për bashkëpunim që janë firmosur me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, derisa Shkupi tërësisht nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës – ka deklaruar Kryeministri grek, Kirjakos Micotakis, gjatë një deklarate për televizionin grek “Skaj”.
Ai ka deklaruar se nëse ratifikon memorandumet, Greqia do t`i humb mjetet që i ka në dispozicion për t`i bërë presione Maqedonisë së Veriut që ta respektojë “Prespën”.
“Paralajmërova me deklaratë të qartë Qeverinë në Shkup se çdo devijim nga implementimi i marrëveshjes me siguri se do të ketë pasoja serioze lidhur me raportet tona me RMV-në gjithashtu edhe për rrugën evropiane të vendit” – tha Kirjakos Micotakis.
Deklarata e Micotakisit vjen pasi “Siriza” opozitare dorëzoi për ratifikimin në Parlamentin grek tre memorandumet dhe në kohën kur Presidentja Siljanovska gjatë inaugurimit nuk e respektoi emrin kushtetues të vendit.
Bëhet fjalë për tre Memorandume të firmosura midis dy vendeve, si pjesë të obligimeve të Greqisë sipas Marrëveshjes së Prespës, të cilët tashmë disa vite pritet të futen në rend dite për t`u ratifikuar në Parlamentin grek.
Memorandumet kanë të bëjnë me përshpejtimin e procesit të integrimit të RMV-së në BE, Memorandumi për formimin e Komitetit Koordinativ për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshja Teknike për mbikqyrjen e Radarit për operacione ajrore – Shkup. /tvklan.mk/