6 vjet pasi e zhytën Spanjën në krizën e saj më të keqe politike në dekada, partitë separatiste të Katalonjës humbën pushtetin në rajonin verilindor, pasi Partia Socialiste pro-bashkimit shënoi një rezultat historik në zgjedhjet e së dielës.
Katër partitë pro-pavarësisë, të udhëhequra nga partia “Together” e ish-presidentit rajonal Carles Puigdemont fituan 59 ulëse në total në parlamentin rajonal, duke mos arritur të merrnin votat e nevojshme për të siguruar shumicën. Socialistët e udhëhequr nga ish-ministri i Shëndetësisë Salvador Illa korrën një fitore dërrmuese duke marrë 42 ulëse nga 33 që fituan në 2021.
Duke fituar më shumë se 200.000 vota, socialistët arritën të ndalonin që partitë pro-pavarësisë të fitonin shumicën e nevojshme për të pasur pushtetin në rajon. Kjo ishte hera e parë që socialistët kryesuan zgjedhjet katalanase si në vota ashtu edhe në vende të fituara.
Duke e cilësuar rezultatin si historik, Sanchez shkroi në X se këto rezultate zgjedhore do të shënojnë nisjen “e një epoke të re në Katalonjë”. Rezultatet e zgjedhjeve përbëjnë fitore të madhe për Sanchezin, i cili ka dashur të tregojë se ka funksionuar politika e tij për uljen e tensioneve që u nxitën për shkak të krizës katalanase.
Puigdemont u largua nga Spanja për të shmangur ndjekjen penale, pas përpjekjes së dështuar për pavarësi. Ai ka zhvilluar fushatën zgjedhore nga jugu i Francës. Edhe pse atij do t’i lejohet të kthehet në Spanjë sapo projektligji për amnisti të shndërrohet në ligj, ai kishte shpresuar se një fitore në zgjedhjet e së dielës, do të hapte rrugën për një rikthim triumfues të tij.
Socialistët do të duhet të fitojnë mbështetjen e partive të tjera për të vënë Salvador Illa në krye. Marrëveshjet në ditët e ardhshme do të jenë çelësi për formimin e një qeverie. Analistët kanë bërë të ditur se opsioni më i mundshëm është që socialistët të krijojnë koalicion me radikalët e majtë të Comuns Sumar, që kanë fituar 6 ulëse dhe me partinë e moderuar që ka 20 ulëse. Së bashku, ata do të kenë 68 ulëse, aq sa kërkohet që të krijohet shumica.