Pse gratë në Britaninë e Madhe rezultojnë më të stresuarat në Europë?

Si po ndihesh? Nëse ndodh që jeni një grua nga Britania e Madhe, shanset janë që të përgjigjeni: Jo dhe aq mirë!

“The Independent” shkruan se sipas një sondazhi të “Hologic Global Women’s Health Index”, gratë në Mbretërinë e Bashkuar janë më të trishtuarat dhe më të stresuarat në të gjithë Europën. Statistikat tregojnë se 39% e grave në Mbretërinë e Bashkuar shpreheh se janë të stresuara thuajse çdo ditë, ndërkohë që mesatarja evropiane rezulton 34%.

Ajo që është akoma më shqetësuese është se nivelet e stresit dhe trishtimit janë rritur shumë, sidomos pas vitit 2020. Është e habitshme, thonë ekspertët, që vende të tjera si Irlanda, Polonia, Lituania, Gjermania dhe vendet skandinave janë shumë më lart në sondazhet e kryera për gjendjen emocionale të grave.

Por pse gratë që jetojnë në Britani përjetojnë çdo gjë më me stres se pjesa tjetër?

Kostoja e jetesës ndikon shumë, pasi gratë paguhen më pak se burrat dhe përballen me shumë pasiguri kur kërkojnë një punë. Norma e inflacionit është rritur, ashtu si dhe çmimet e energjisë, në nivele shumë më të ndjeshme se në vendet e tjera të kontinentit. Hulumtimet e mëparshme nga shoqata “Mind” zbuluan se 74% e grave në Angli dhe Uells mendojnë se shëndeti i tyre mendor ndikohet negativisht nga rritja e kostos së jetesës.

Ndërkohë, kompania që qëndron pas sondazhit të fundit ka theksuar edhe mangësitë në shërbimin shëndetësor ndaj grave. Në vitin 2017, Shëndeti Publik në Angli zbuloi se gratë kishin gjasa shumë të larta që të kalonin ¼ e jetës së tyre me shëndet të dobët. U vu re se gratë me një bllokim total të arteries koronare kanë 59 % më shumë gjasa për t’u diagnostikuar gabimisht sesa burrat. Është e habitshme se nga të gjitha intervistat e kryera, gratë shprehen se shpesh heqin dorë nga një takim me mjekun pasi kanë frikë se simptomat e tyre nuk merren seriozisht.

Në vitin 2022, koha mesatare e pritjes për shërbimet gjinekologjike në spitale u dyfishua nga 6,9 në 13,7 javë, me mbi 300 mijë gra që prisnin më shumë se një vit për një konsultë gjinekologjike.

Sigurisht këto ‘ngërçe’ në sistemin shëndetësor ekzistojnë dhe në vende të tjera të Europës, por jo në këtë shkallë. Kjo pasi shumë shtete po miratojnë ligje që përmirësojnë ndjeshëm gjendjen emocionale të tyre. Përshembull Spanja është vendi i parë evropian që ka bërë të mundur që gratë të marrin pushim ditët që janë me menstruacione, pa hequr asnjë cent nga paga e tyre.

Danimarka, ndërkohë, ofron një gamë të plotë trajtimesh të shëndetit riprodhues brenda sistemit të tyre të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë trajtimet e infertilitetit. Përshembull, mbulohet kostoja e tre cikleve të IVF për fëmijën e parë.

Në krahasim me vendet e tjera, duket se Mbretëria e Bashkuar priret drejt një mentaliteti tjetër kur bëhet fjalë për shëndetin e grave. Ato mbështeten vetëm kur kanë një problem serioz, që do të thotë mungojnë qasjet për kontrolle rutinë, programet e edukimit apo ekzaminimet parandaluese.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share